Institucionet e reja, më 8 dhjetor

Kosova

Institucionet e reja, më 8 dhjetor

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 10:14

Kuvendi i Kosovës pritet që përfundimisht të vazhdoj seancën konstituive më 8 dhjetor, ku në rend të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Data 8 dhjetor, është propozuar nga liderët e dy partive të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e mbajtur me Presidenten Atifete Jahjaga, të martën mbrëma.

Hashim Thaçi e Isa Mustafa kanë kërkuar këtë datë në mënyrë që PDK dhe LDK deri atëherë të harmonizojnë programin qeverisë dhe të ndajnë pozitat udhëheqëse të institucioneve dhe resorëve ministror në qeveri.

Sipas asaj që është paralajmëruar deri më tani, më 8 dhjetor fillimisht pritet të konstituohet Kuvendi e më pas, PDK dhe LDK do të kërkojnë mandatin e presidentes për kandidatin e tyre për kryeministër.

Ndonëse ende nuk janë bërë publike të gjitha detajet e marrëveshjes në parim ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës, pritjet janë që kryetari i Kuvendit të zgjidhet nga PDK-ja, kurse kryeministri nga LDK-ja. Kjo do të ishte hera e parë që LDK do të merrte nën drejtim Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka thënë se aktualisht grupet punuese të të dyja partive po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës.

“Ne tash, do të vazhdojmë me hapa të tjerë të rëndësishëm të bashkëpunimit por edhe të finalizimit të plotë të marrëveshjes në mes PDK-së dhe LDK-së, dy partive me vlera dhe interesa të përbashkëta të qendrës së djathtë", ka thënë Thaçi.

Deri më 8 dhjetor, Thaçi dhe Mustafa pritet të intensifikojnë negociatat edhe me Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve tjera në Kuvend, në mënyrë që edhe ato të marrin pjesë në qeveri.

Varësisht numrit të ministrive, komuniteti serb dhe ato jo serbe,mund të marrin nën drejtim nga një apo edhe dy ministri dhe poste tjera nën ministrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat