Migrimi masiv, provë e “derexhes” ekonomike dhe sociale

Kosova

Migrimi masiv, provë e “derexhes” ekonomike dhe sociale

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 22:55

Analisti Lumir Abdixhiku vlerëson se migrimi masiv i kosovarëve gjatë ditëve të fundit është prova më e mirë e “derexhes” ekonomike dhe sociale të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se me rrogat e vogla, ata që kanë fatin të jenë të punësuar, jetohet një jetë minimalisht dinjitoze.
Sipas tij, Kosova e ka humbur shtetin dhe ka krijuar “perandori politikanësh pa takt”, që shpenzojnë miliarda në shtrim asfalti.
“Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saj minimale”.
“Sepse, sot, në Kosovën e shtrenjtë, plot 500,000 kosovarë jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë; rreth 70% të rinj janë të papunë e pashpresë, e ata pak të punësuar të tjerë mezi arrijnë të kalojnë një muaj minimalisht dinjitoz - po patën fat të qëndrojnë shëndosh e të pasëmurë; sepse përndryshe pe, fashë e ujë duhet blerë vet. E kur ecën në cep të pasigurisë e zhgënjimit, ikja - fatkeqësisht - bëhet fare e lehtë. Sot të gjithë jemi të pasigurt”.
“Ne e kemi humbur betejën me të ligën kaherë. E kemi humbur kur në vend të shtetit kemi krijuar perandori politikanësh pa takt, në vend të punës kemi shpenzuar në asfalt miliardash por me bark të thatë, në vend të vlerës kemi falë e zhvatë gjithë pasurinë publike e private, dhe në fund - si për rrumbullakim - të pagdhendurve u kemi lënë rend sa gjithandej. Tash veçse jemi në rënie të lirë”, ka shkruar në FB Abdixhiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat