Koalicioni LDK-PDK i natyrshëm, këto dy parti do të shkrihen në një!?

Kosova

Koalicioni LDK-PDK i natyrshëm, këto dy parti do të shkrihen në një!?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:14

Koalicioni LDK-PDK është i natyrshëm, thekson analisti politik Fadil Lepaja. Ai thotë se një pjesë e udhëheqëseve të këtyre partive do të përballen me ligjin, ndërsa pjesa kryesore në të ardhmen do të shkrihen në një parti, kurse të pakënaqurit do të ndërrojnë partitë!

“Dje në një emision moderatorja po pyeste se a është i natyrshëm koalicioni LDK-PDK? Është mëse i natyrshëm! Në një të ardhme jo shumë të largët, këto dy parti do të shkrihen në një, sepse nuk ka dallime esenciale në mes tyre. Ka vetëm dallime interesash të kreut udhëheqës! Kjo shkrirje do të ndodhë kur të vijë deri te nderrimi në kreun e tyre. Kështu, një pjesë e kreut formal apo joformal të tyre, do të përballet me ligjin, ndërkohë që pjesa tjetër, do të shkrihet në një koalicion të përhershëm ose në një subjekt të vetëm”, thekson Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, aktualisht, lufta në mes tyre është luftë për të kaluaren jo për të ardhmen, ndërsa alternativa e këtij koalicioni të djathtë i cili e përfaqëson biznesin e madh, formal dhe joformal, vendorë dhe ndërkombëtarë, do të jetë një politikë e qendrës, ose një politikë e majtë europiane e cila poashtu ende është në artikulim e sipër dhe arysetimi i ekzistencës së sajë do të jetë një angazhim më i madh për qytetarin dhe interesat e tij!

“Se si do të artikulohen këto grupime politike varet prej zhvillimeve në mes të partive që kanë mbetur në opozitë, apo nga zhvillimet e mundshme brenda vet atyre partive. Pra, alternativa ende nuk është e qartë. Ndërkohë, brenda koalicionit te ri, po zhvillohet luftë e ashper për kreun e ekzekutivit ku PDK po përpiqet të kompromitoj kreun e LDK dhe të forcojë krahun e saja brenda LDK. Tash per tash konturat janë vendosur dhe për LDK do të ishte sukses nëse e zhbllokon procesin dhe gjërat fillojnë të lëvizin”, thekson Lepaja.

Analisti politik, Fadil Lepaja, pohon se, lëvizja e procesit është në disfavor të kësaj “pornopolitike” e cila e ka sjell vendin buzë humneres.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat