S’kemi nevojë të futemi në aventura zgjedhore

Kosova

S’kemi nevojë të futemi në aventura zgjedhore

Më: 26 tetor 2014 Në ora: 10:28

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se përderisa koalicioni LDK-AAK-Nisma, së bashku me Vetëvendosje!-n, ka shumicën parlamentare, nuk është e nevojshme që vendi të futet në aventura zgjedhore. Ajo ka thënë për “Epokën e re” se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit janë kundër zgjedhjeve të reja.
“Përderisa kemi shumicën parlamentare, nuk kemi nevojë edhe një herë të futemi në aventurat zgjedhore. Janë mbi 83 deputetë të cilët janë pro zgjidhjes dhe kundër zgjedhjeve. Ne jemi të bindur dhe të angazhuar të përfundojë procesi i formimit të institucioneve në mënyrë që të ndryshohet mënyra e qeverisjes. Qëndrimet eventuale pro zgjedhjeve, përsëri do të jemi ne ata të cilët do të përcaktohemi sepse jemi shumicë parlamentare”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Ajo ka thënë se partitë e bllokut e kanë zgjidhjen për formimin e institucioneve. “Ne e kemi ofruar zgjidhjen. Zgjidhja është ofruar me veprimet e shumicës parlamentare. Kjo është mundësia e vetme për formimin e institucioneve të reja. Ata të cilët janë duke e zaptuar shtetin duhet të japin përgjigje se deri kur do të vazhdojë kështu dhe kur është momenti që të jenë të gatshëm të hapin rrugë”, ka thënë Kadaj-Bujupi, duke kukuar nga PDK-ja të lëshojë rrugë në mënyrë që Kosova të bëhet me institucione të reja.
“Mendoj se në periudhën e fundit, pra prej momentit kur PDK-ja e ka kuptuar se nuk e ka shumicën, për shkak të interesave të vendit, është dashur të hapë rrugë dhe të lejohet një shumicë parlamentare t’i formojë institucionet ashtu siç parashihet me ligj, procedura dhe praktika më të mira demokratike”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat