Presidentja nuk do t’i drejtohet Kushtetueses për pikën 127

Kosova

Presidentja nuk do t’i drejtohet Kushtetueses për pikën 127

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 15:42

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka kthyer deputetëve të komuniteteve pakicë përgjigjen në lidhje me kërkesën e tyre për sqarime shtesë rreth pikës 127 të Gjykatës Kushtetuese.

Në përgjigjen që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë thuhet se “duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe dy vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin e Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën, por konsideroj se zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit kushtetues”.

“Zgjidhja për nyjën institucionale është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës. Ndërtimi i institucioneve të vendit bazohet mbi parimet kushtetuese dhe gjithëpërfshirja, në këtë rast e komuniteteve të Kosovës, është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje”, thuhet në përgjigjen e presidentes Jahjaga.

“Në kohën kur po e testojmë demokracinë tonë të brendshme dhe gjithashtu edhe pjekurinë tonë politike, duke mos dashur që të sfidojmë procedurat e mëtejme ligjore, që do të mund të zvarrisin gjithë procesin e ndërtimit të institucioneve dhe të thellojnë ndasitë e krizat, është përgjegjësi dhe obligim i deputetëve të Kuvendit që me mirëbesim, mirëkuptim, me kompromis si pjesë e kulturës së dialogut, të gjejnë zgjidhjen e cila do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse”, ka vijuar tutje presidentja.

Roli i Presidentit të Republikës së Kosovës bazohet në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, duke ruajtur gjithnjë parimin e ndarjes së pushteteve dhe mbi të gjitha duke ruajtur paanësinë në raport me partitë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat