Kurti: Seanca do të mbahet javën e ardhshme

Kosova

Kurti: Seanca do të mbahet javën e ardhshme

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 11:26

Lideri i VV-së në adresimin e tij ka thënë se në javën e ardhshme do të mbahet seanca pa dhënë më shumë detaje nëse bëhet fjalë për një seancë të bllokut apo që do të thirret nga kryesuesja Flora Brovina

"Jemi mbledhur në mënyrë që të shprehim pakënaqësinë tonë me shtyrjet e vazhdueshme të konstituimit të kuvendit dhe formimit të institucioneve.Partia në pushtet e cila është parti shtet që e ka lënë shtetin e Kosovës pa republikë, e po bën gjithçka që ta lë edhe pa kuvend. Me këtë qeveri Kosova nuk mund të ketë të ardhme. Për atë edhe jemi bërë bashkë për t’ju dhënë qytetarëve mirëqenie, të luftojmë korrupsionin dhe krimin, pa asnjë dallim. Jemi dëshmitarë se séance është filluar për t’u ndërprerë. Qeveria në ikje e sheh vendin si një garë automobilistike që kush të dalë I pari të fitojë. i pari del vetëm ai që e ka shumicën parlamentare. Në javën e ardhshme ne si përfaqësues të popullit, do ta kemi edhe seancën e ardhshme për formim të institucioneve. Ky është vendi ku ne e sjellim zërin, besimin, interesin dhe vullnetin e qytetarëve dhe në përputhje me këtë do të vazhdojmë të punojmë." ka thënë Kurti.

Lexoni deklaratën e plotë:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë seancë të Kuvendit të Republikës, të këtij organi më të lartë legjislativ dhe politik të shtetit tonë të pavarur,

Ne jemi mbledhur sot këtu në mënyrë që të shprehim pakënaqësinë tonë dhe papajtueshmërinë tonë me shtyrjet e vazhdueshme të konstituimit të Kuvendit të Republikës, përkatësisht me ndërprerjet e padrejta, e të paligjshme dhe me mos-vazhdimin e seancës konstituive e cila do ta bënte fillimin e legjislaturës së 5-të, të Kosovës.

Partia në pushtet, e cila është parti shtet, dhe e cila e ka lënë shtetin e Kosovës praktikisht pa Republikë dhe që po bën gjithçka që ta lë edhe pa Kuvend, duhet të shkojë.

Me qeverinë e kaluar, Kosova nuk mund të ketë të ardhme dhe ne jemi bërë bashkë që Kosova të ketë të ardhme, që Kosova të ketë edhe të tashme, duke i dhënë prioritet drejtësisë ligjore, zhvillimit ekonomik, reformave institucionale, mirëqenies së qytetarëve, dhe jemi bërë bashkë që në vijim të luftohet krimi, të luftohet korrupsioni, të hapet perspektiva për qytetarët, për të gjithë ata dhe për secilin prej tyre pa asnjë dallim.

Jemi dëshmitarë që seanca konstituive u ndërpre, më pastaj ajo u vazhdua, pikërisht për t'u ndërprerë dhe tash së fundi ajo u shty që të mos vazhdohet. Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe republika parlamentare është e organizuar rreth shumicës dhe mbi shumicën.

Partia në pushtet, qeveria në ikje, qeveria në largim, apo më mirë të themi qeveria e kaluar, është ajo e cila e sheh vendin tonë dhe zgjedhjet demokratike si një garë automobilistike kush ka dalë i pari aty, mirëpo republika nuk organizohet rreth të parit në garë, republika organizohet rreth shumicës së tërësisë. Shumica e tërësisë jemi ne, që me procedurat e partizuara po parandalohet që ta bëjë konstituimin e legjislaturës së V-të.

Ne jemi zotuar sot, që të vazhdojmë me punën tonë të përbashkët, që qëndrimin tonë të përbashkët ta bëjmë bashkëveprim dhe rrjedhimisht në javën e ardhshme jemi ne ata të cilët

bashkarisht si përfaqësues të popullit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet demokratike , do të vazhdojmë me punën në institucionet tona dhe kësisoj në javën e ardhshme do ta kemi gjithashtu seancën e radhës në përpjekjet tona edhe të vazhdueshme edhe të pandalshme.

Me këtë rast duhet gjithsesi të theksojmë se Kuvendi i Republikës është vendi i deputetëve si përfaqësues të popullit. Porsa u bëmë bashkë ne deputetët që ia duam të mirën vendit, na u pamundësua vendi ynë, na u pamundësua Kuvendi. Mirëpo ja ku jemi sot këtu, për të dëshmuar se ky pamundësim, nuk mund të zgjatë pafundësisht.

Ky është vendi ynë, vendi ku ne e sjellim zërin e qytetarëve, besimin e qytetarëve, interesat e qytetarëve dhe vullnetin e qytetarëve, dhe në përputhje me këtë, ne do të veprojmë edhe në vazhdim.

Kur, me datën 10 Qershor, patëm thënë që nuk do të ketë qeveri të vjetër të këtij regjimi që ripërtërihet pas 8 Qershorit, kur patëm thënë që nuk do të ketë Thaçi 3, pak njerëz kanë besuar në Kosovë, mirëpo po bëhen gati katër muaj, që partia në pushtet nuk mundet, që partia në pushtet ka dështuar, por ne nuk mund të lejojmë që me dështimin e partisë në pushtet, të dështojë edhe shteti, të dështoj republika jonë.

Pra ishim bashkë gjatë kësaj kohe, do të vazhdojmë të jemi bashkë, sepse kështu e do interesi i qytetarëve të republikës sonë.

Unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe le të vazhdojmë të komunikojmë, ta takohemi dhe të punojmë në mënyrë që atë që nuk u mundësua në këto javët dhe muajt e fundit, ta vazhdojmë ne si shumicë parlamentare, mbi të cilën organizohet Republika dhe në të cilën janë shpresat e qytetarëve.

Faleminderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat