Buxheti as nuk i afrohet pritshmërive të qytetarëve të Gjakovës

Kosova

Buxheti as nuk i afrohet pritshmërive të qytetarëve të Gjakovës

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 17:24

Të martën, më 30 shtator, në Komunën e Gjakovës është mbajtur mbledhja IX, e rregullt për vitin 2014, ku në rend dite ndër të tjera ishte dhe projekt-buxheti për vitin 2015. Asambleisti Agon Batusha paraqiti vërejtjet, komentet dhe propozimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për projekt-buxhetin e vitit 2015.

Vërejtja jonë kryesore është mungesa e planeve konkrete që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik komunal që ishte premtimi kryesor zgjedhor i qeverisjes aktuale. Kemi qenë të vetëdijshëm që viti i parë do të kalonte duke u marrë me problemet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, ndërsa në vitet e tjera politikat komunale do të duhej të orientoheshin drejt zhvillimit ekonomik. Mirëpo me planifikim buxhetor për vitin 2015 të paraqitur në këtë seancë, këto pritshmëri nuk u përmbushën. Për këtë arsye nuk u deklaruam pro këtij buxheti.

Sipas planifikimit buxhetor për vitin 2015 vërehet që nga 5, 251, 293 euro të ndara për investime kapitale, vetëm 1, 780, 269 prej tyre janë planifikuar për Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik. Është shqetësuese që mbi 90% të projekteve të kësaj drejtorie janë shtrimi i rrugëve nëpër Komunë. Pa dashur të ndalim përmirësimin e infrastrukturës, mbetemi të sigurt, siç e kemi parë edhe nga niveli qendror, që investimi në rrugë e asfalt nuk garanton zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Një logjikë e tillë e investimeve kapitale është vazhdim i asaj të qeverisjes paraprake.

Shqetësuese janë edhe investimet kapitale në bujqësi sepse ato zënë një vend të papërfillshëm të buxhetit. Bashkë me subvencionet, buxheti për bujqësinë nuk dallon prej qeverisjes së kaluar. Krahasuar me premtimet e fushatës si dhe me potencialin e këtij sektori mund të themi që kjo kategori është nënçmuar. Mungesa e projektit për "Tregun e Qytetit", fushatës së përkrahjes së prodhimeve vendore të Komunës, mungesa e planit konkret të zhvillimit të këtij sektori që vërehen në planifikimin buxhetor për 2015 nuk premtojnë që bujqësia në Komunën tonë do të mbështetet e zhvillohet më shumë.

Po ashtu, në këtë projekt-buxhet nuk parashihet ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare afër shkollës së mjekësisë, projekt ky që u premtua pas ndërrimit të destinimit të Ambulancës së Qytetit, në Çarshinë e Vjetër. Ndërsa për Drejtorinë Komunale të Arsimit ka mungesë të detajimit për shumën e paraparë në mirëmbajtjen e shkollave edhe pse kjo shumë është mjaft e lartë.

Ndërsa sa i përket kulturës është brengosëse mungesa e investimeve në këtë sektor në zonat rurale të Komunës. Krahasuar me qendrën e komunës këto zona kanë nevoja elementare për biblioteka, salla kulture, etj., të cilat nuk janë të parapara në projekt-buxhet.

Përfaqësuesi ynë Agon Batusha shtroi një seri pyetjesh për të cilat nuk mori përgjigje. Kështu që po i shtrojmë këto pyetje dhe njëherë publikisht. Këto pyetje lidhen me Raportin e të hyrave dhe po i parashtrojmë në vijim:

1. Në raportet e viteve 2012 dhe 2013 nuk realizohet asnjë e hyrë nga dënimet e Inspeksionit kurse në 6 mujorin e parë të 2014 nga 1500 euro të planifikuara nuk është realizuar asnjë e hyrë. Si ka mundësi që në vitet e ardhshme të hyrat në këtë dikaster të kapin shumat 18,000 euro?

2. Në planifikimin e të hyrave të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për 3 vitet e ardhshme të hyrat nga "lejet për vazhdimin e orarit të punës" nuk figurojnë fare në pasqyrë, përderisa ky zë buxhetor është i pranishëm në pasqyrat e vitit aktual dhe atyre paraprake.

3. Përderisa në 6-mujorin e parë të 2014-ës nga "lejet për taksi dhe autobusë" janë realizuar 840 euro të hyra, si ka mundësi që në 3 vitet e ardhshme nga kjo kategori të planifikohen mesatarisht 5,500 euro të hyra për vit?

4. Në 6 mujorin e parë të 2014 nga "qiratë e lokaleve të Komunës" nga 28,000 euro të planifikuara për gjithë vitin janë realizuar vetë 510 euro, si ka mundësi që me këtë inkasim kaq të ulët, për 3 vitet e ardhshme të planifikohen mesatarisht 27,000 euro të hyra?

Përfaqësuesi ynë propozoi që të parashihet në buxhet, transmetimi i seancave të Kuvendit komunal në televizionet lokale. Kjo nuk do të kushtonte shumë mirëpo efekti në publik do të ishte i madh. Shumica e qytetarëve do të kishin mundësi t'i përcillnin seancat dhe të ishin më të informuar me aktivitetin e të zgjedhurve të tyre. Shuma prej 100,000 eurosh e paraparë për rinovimin e objektit të Komunës është e ekzagjeruar. Pak kursim nga kjo shumë do ta mundësonte financimin e propozimit tonë. Ky propozim nuk u morë parasysh nga ekzekutivi. Njëjtë si dhe propozimi për vendosjen e shujtave në shkollat fillore të Gjakovës edhe pse mundësitë buxhetore ekzistojnë nuk u morë parasysh për t'u përfshirë në Buxhetin 2015.

Po ashtu, një nga propozimet tona që lidhet me lirimin nga tatimi për kategoritë e dala nga lufta sipas Ligjit 04/L-054 u pranua për t'u bërë pjesë e rregullores meqë është dhe detyrim ligjor.

Ka ikur koha e euforisë elektorale dhe ka ardhur dita që të gjithë të hapim sytë ndaj asaj që është duke ndodhur me të vërtetë në Komunën e Gjakovës.

30 shtator 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra në Gjakovë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat