Lajmërohet Pacolli: Bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, frymëzim për botën

Kosova

Lajmërohet Pacolli: Bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, frymëzim për botën

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 01:19

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli,ka komentuar në faqen e tij në Facebook, vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, duke thënë se shqiptarët dhe Shqipëria me bashkëjetesën e tyre fetare janë frymëzim për botën. Ai pas një mungese të paraqitjes së tij në media, ndër të tjerash ka thënë se bota sot i ka pasur sytë e kthyer nga Shqipëria.
Lexoni të plotë komentin e Pacollit:
Me vizitën e Papës Françesku, për një ditë Shqipëria, vendi amë, kombi shqiptar megjithë pjesët e tij, pra dhe Kosovën, ishte në vitrinen kryesore të botës. Në vitrinë mund të jesh për mirë, mund të jesh për keq. Është fat i madh të jesh për mire dhe kombi ynë doli me një imazh të mrekullueshëm nga kjo vizitë.
Por çfarë i treguam ne botës? Për një kombinim rrethanash ne shqiptarët kudo që jetojmë në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkup, apo kudo, i përkasim feve të ndryshme megjithëse jemi një komb i vogël. Dhe bashkëjetojmë në një menyrë harmonike. Harmonia është diçka që i duhet shumë botës së përfshirë në konflikte. Në botë sot janë në konflikt madje dhe ata që i përkasin të njëjtës fe. Këtë të vërtetë të kombit tonë e pohoi fuqishëm dhe vetë Papa Françesk, në modestinë e tij: Shqipëria me bashkëjetesën e vet fetare është burim frymëzimi për botën!
Faleminderit Papa Françesku për viziten që na mundësoi këtë vitrinë të mrekullueshme!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat