Mustafa kërkon thirrjen e seancës së radhës

Kosova

Mustafa kërkon thirrjen e seancës së radhës

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 11:33

Lideri i LDK-së i ka bërë thirrje kryesueses së seancës konstituive që të thërras vazhdimin e seancës, pasi nuk ka nevojë të pres se do të ndodhin mrekullitë.
Lideri i partisë më të madhe të Bllokut, LDK-së, Isa Mustafa i ka bërë thirrje kryesueses së seancës konstitituive të Kuvendit, që pa humbur kohë të thërras vazhdimin e seancës, pasi siç ka thënë, nuk ka nevojë të pret të ndodhin mrekullitë, sepse ato nuk ndodhin jashtë Kuvendit dhe votës së deputetëve.

"Le ta thërret vazhdimin e seancës, le të provojë PDK me kandidatë, dhe nëse nuk fiton të mbyllet ky cikël i dështimeve javën që vjen." ka shkruar Mustafa në profilin e tij në facebook. Ai ka thënë se LDK, sikurse edhe VV, AAK e Nisma, nuk e mohojnë se PDK-ja me partnerët e saj të koalicionit ka dalë e para në zgjedhje, por poashtu nuk mohojnë faktin se ajo nuk po mund të sigurojë shumicën në kuvend. "Kemi nevojë për një qeverisje me diversitet që pamundëson kapjen e shtetit". "Edhe të enjten u vërtetua se Lidhja Demokratike e Kosovës me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen e kanë shumicën absolute në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër PDK me partnerët e saj të koalicionit ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili, ashtu siç po interpretohet, në mënyrë implicite e mohon demokracinë parlamentare. Dhe për fat të keq një vendim I tillë e bën edhe PDK-në të vazhdojë të sillet se janë shumica, duke pasur vetëm 36 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës" ka shkruar lideri i LDK-së, Mustafa.

Ai në këtë shkrim ka shprehur bindjen e tij se Qeveria LDK/VV/AAK dhe Nisma bashkë me minoritet joshumicë, do të jetë mjaftë e diversifikueshme, por se ky diversitet do të mundësojë që kjo qeverisje të mos prodhojë sistem të korrupsionit, krimit të organizuar dhe të mos mund të kap shtetin. "Kjo do të jetë vlera jonë bazike e cila do të hapë mundësi që ky vend në të ardhmen të ec në një rrugë normale demokratike." ka shkruar ndër të tjera, Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat