Ndërkombëtarët s’ia besojnë dialogun Vetëvendosjes

Kosova

Ndërkombëtarët s’ia besojnë dialogun Vetëvendosjes

Më: 13 shtator 2014 Në ora: 08:31

Marrëveshja mes Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila parasheh që subjekti politik i Albin Kurtit t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, ka shqetësuar faktorin ndërkombëtar. Këta të fundit janë kundër idesë që drejtimi i dialogut t’i lihet në dorë pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo, pasi sipas tyre, kushtet e vëna nga Vetëvendosje për vazhdimin e dialogut, mund ta rrezikojnë vazhdimin e tij si dhe zbatimin e marrëveshjeve në praktikë.
“Ne kemi parë se disa drejtues të Vetëvendosjes po insistojnë se nuk do të këtë vazhdim të dialogut pa njohje reciproke. Një gjë e tillë është e pamundur, për faktin se Serbia tërë kohën zotohet se me asnjë çmim nuk do ta njohë Kosovën. E insistimi i palëve në qëndrimet e veta mund të ndikojë që vazhdimi i dialogut të dështojë”, i ka thënë gazetës një burim ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, njohës të çështjeve politike, vlerësojnë se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të vështirë që t’i realizojë kushtet e parapara për vazhdimin e dialogut. Sipas tyre, dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të jetë më i përgatitur sesa ka qenë deri më tani./tribuna

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat