Jahjaga: Partitë të gjejnë vetë zgjidhjen

Kosova

Jahjaga: Partitë të gjejnë vetë zgjidhjen

Më: 11 shtator 2014 Në ora: 20:18

Duke e parë që ngërçi politik po zgjatet, presidentja e Kosovës u ka bërë thirrje partive politike që t'i ndërtojnë sa më shpejt institucionet e vendit.

Madje, presidentja tha se partitë duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen e jo atë ta kërkojnë nga dikush tjetër.

Presidentja Atifete Jahjaga, përsëriti edhe një herë thirrjen drejtuar partive politike në Kosovë , që të formojnë sa më shpejtë institucionet e shtetit. Dhe kjo, pa ndërhyrje nga jashtë.

“Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve, nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jo kushtetuese në vendin tonë. Kosova është demokraci parlamentare dhe përgjegjësitë e secilit institucion janë të ndara dhe të përcaktuara me Kushtetutë. Po aq sa janë të përcaktuara edhe mandatet dhe kohëzgjatja e secilit prej institucioneve!

Presidentja tha se krijimi i institucioneve nga ana e deputetëve, është edhe përgjegjësi kushtetuese.

“Përgjegjësia jonë, si edhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nën betimin “për të përfaqësuar me dinjitet popullin dhe për të punuar në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, shtrihet më gjerë duke provuar për të gjetur zgjidhjet brenda institucionit që përfaqësojnë dhe në kuadër të Kushtetutës. Dhe, natyrisht duhet të mësohemi se vetë i gjejmë zgjidhjet, pa kërkuar ndihmën nga jashtë, sepse zgjidhjet na përkasin neve, shtetit tonë dhe të ardhmes sonë”, tha Jahjaga.

Jahjaga megjithatë rikujtoi se demokracioa ka rregulla të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.

“Duhet të mësohemi se Kushtetuta dhe ligjet e vendit janë ato që e bëjnë shtetin dhe ne të gjithë duhet ta kuptojmë se demokracia ka rregulla që duhet të respektohen. Prandaj, zgjidhjet gjenden në mesin e atyre që kanë marrë votën e popullit, në mesin e atyre që kanë përgjegjësi përpara votuesve të tyre, përpara qytetarëve të Kosovës”, theksoi ajo.

Këto komente, Presidentja i bëri në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete në të cilin u prezantuan anëtarët e rinj të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat