Ismet Beqiri: Astriti s’ka lidhje me LDK’në, Remin nuk e pyet askush

Kosova

Ismet Beqiri: Astriti s’ka lidhje me LDK’në, Remin nuk e pyet askush

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 15:23

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se deklaratat e Astrit Haraqisë nuk kanë asnjë ndikim. Ai thekson se Haraqija nuk ka nevojë fare të bëjë deklaratë rreth qëndrimeve të LDK’së pasi nuk ka asgjë më me këtë parti. Ndërsa, sa i përket qëndrimeve të vazhdueshme të deputetit të PDK-së, Rrustem Mustafës për koalicion PDK-LDK, Beqiri ka thënë se edhe Remi po ia bën qejfin vetes pasi atë nuk e pyet askush. Beqiri ka treguar për Express se LDK’ja i ka qëndrimet e veta dhe ato janë të ditura.

“Ne kemi thënë edhe më herët. S’ka asnjë marrëveshje apo koalicion më PDK-në. Na tani kemi marrëveshje me AAK-në dhe Nismën. Kjo marrëveshje vazhdon të jetë në fuqi e shumë shpejt pritet të bashkohet edhe VV-ja. Për neve është punë e kryer bashkëpunimi me partinë e Hashim Thaçit”, ka thënë Beqiri.

Deputeti i LDK-së, i ka thënë se Haraqija ka qenë në LDK dhe tani nuk ka asgjë më këtë parti. Bile ai thotë se edhe thirrjet e tij në parimet e ish-Presidentit Rugova janë të kaluara, pasi tani kanë ndryshuar kohët.

“Astriti s’ka nevojë të thirrët në parimet e Ibrahim Rugovës. Tani janë tjera kohëra, dhe duhet të flitet për të ardhëm dhe të punohet në rrethanat e të tashmes” .

Kurse, sa i përket deklarimeve që deputeti i të PDK-së, Rrustem Matafa i bën kohë pas kohe, ai ka thënë se Remi vetëm po ia bën qejfin veten dhe partisë së tij.

“Remi çdo herë ka pas këso deklarime. Ai po ja banë qejfin vetes dhe subjektit që përfaqëson. Ne iu sigurojmë se s’ka asgjë të vërtet rreth këtyre deklaratave. S’ka bashkëpunim me PDK-në dhe nuk do të këtë as në të ardhmen”, ka thënë Beqiri.

Sekretari i LDK-së, ka thënë se edhe deklarimet nëpër media, se mund të ketë bashkëpunim nëse Thaçi heq dorë nga kandidatura për kryeministër janë të pavërteta.

Ai ka treguar se me këtë parti nuk hynë në qeverisje as me Thaçin e as më askënd tjetër.

“ Jo, jo. Qëndrimet tona janë jo bashkëpunim me PDK-në. Këtu nuk flitet për individë. Ata mund ta qesin kënd të donë në vend të Thaçit, por për neve kjo s’ka asnjë rëndësi”, ka thënë Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat