Blloku i bënë thirrje Brovinës që mos të bllokojë seancën

Kosova

Blloku i bënë thirrje Brovinës që mos të bllokojë seancën

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 16:47

Deputetja më e vjetër, Flora Brovina ka paralajmëruar se nuk do ta thërras seancën konstituive pa pasur një marrëveshje mes partive politike për mbarëvajtjen e seancës.

Përfaqësuesit e bllokut, LDK-AAK-Nisma i bëjnë thirrje Brovinës që mos të bllokojë seancën, në të kundërtën, thonë se do të vetëmblidhen në seancë konstituive.

Jakup Krasniqi ka udhëhequr Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së tretë dhe të katërt. Ai thotë se as kryetari nuk ka të drejtë ta thërras seancën, e lëre më një deputet.

Andaj, sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk do duhej t’ia linte ato kompetenca deputetes Flora Brovina, vetëm pse i takon udhëheqja e seancës në bazë të moshës.

Duke u referuar në mundësinë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme nga presidentja, Qeveria ose 40 deputetë, ish kryeparlamentari Krasniqi thotë se megjithatë ka zgjidhje në rast të mosthirrjes së seancës nga Flora Brovina.

“Unë mendoj se 40 deputetë tani e kanë dhënë betimin dhe e kanë të drejtën e tyre që ta thërrasin Kuvendit. Unë kështu e mendoj. Megjithatë Gjykata Kushtetuese ka dhënë një orientim tjetër që është një ndërhyrje në institucionin më të lartë të shtetit dhe e ka prolonguar punën dhe është ndërhyrje flagrante në punën e Kuvendit”, tha Krasniqi për transmetuesi publik.

Donika Kadaj-Bujupi në emër të bllokut LDK-AAK-Nisma i bën thirrje deputetes Brovina që brenda afatit sa më të shkurtë ta thërras seancën konstituive.

“Ne përsëri për të mos proceduar me veprime të tjera, kërkojmë që sa më shpejt kryesuesja ta thërras seancën, në të kundërtën, do të organizohemi, do të vetëmblidhemi dhe do të procedojmë, sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që për shkak të qejfeve të PDK-së për të qëndruar në pushtet, të lejojmë që Kosova të shkojë drejt humnerës”, tha Kadaj-Bujupi.

Kryesuesja e Kuvendit, deputetja e PDK-së Flora Brovina ka thënë se nuk ka logjikë të thirret vazhdimi i seancës së Kuvendi nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet partive politike.

Të drejtë kësaj deklarate njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, i cili thekson se marrëveshja paraprake është sinjal edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat