Xhelozia e arkeologëve shqiptarë përballë atyre turq

Kosova

Xhelozia e arkeologëve shqiptarë përballë atyre turq

Më: 21 gusht 2014 Në ora: 18:15

Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka shprehur `xhelozi` për raportimet e mediave, të cilat citojnë kryesisht arekologun turk, për gjetjen e njërës prej kishave më të vjetra në botë, në Ulpianë.

Deklaratë e plotë e Institutit Arkeologjik të Kosovës lidhur me raportimet e djeshme në media, për gjetje në Lokalitetin Arkeologjik ‘Ulpiana’

Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) e konsideron të nevojshme të japë disa sqarime sa i përket raportimit të djeshëm në media se në Lokalitetin Arkeologjik ‘Ulpiana’ ‘është gjetur Kisha më e vjetër në botë’.

Dëshirojmë të theksojmë në fillim, për hir të korrektësisë dhe informimit të drejt të publikut, se raportimet janë përcjellë me shumë pasaktësi.

Gërmimet në Ulpianë kanë nisur nga viti 2010 dhe vazhdojnë edhe tani. Të gjitha proceset e gërmimeve janë udhëhequr, koordinuar ose autorizuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) bashkë me Institutin Arkeologjik në vitet e fundit kanë rritur investimet dhe hulumtimet shkencore në këtë lokalitet. Vetëm këtë vit në këtë lokalitet janë investuar 150 mijë euro nga MKRS-ja.

Në Ulpianë, në periudha të ndryshme, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik kanë punuar edhe institute të ndryshme nga Evropa; në veçanti Instituti Arkeologjik i Frankfurtit, Universiteti i Heidelberg, Muzeu i Bochum-it, etj.

Gërmimet në arealin e gjerë të Ulpianës, zhvillohen në tri sektorë. Njëri nga këto, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëveprim me IAK-un, është edhe hapësira ku zhvillon gërmime arkeologu nga Turqia, prof.dr.Haluk Çetinkaya me grupin e tij punues, ku në këtë grup marrin pjesë edhe arkeologë dhe punonjës teknik nga Kosova të etnive të ndryshme. Pra nuk qëndron informata se në këtë hapësirë, ku aktualisht zhvillon gërmimet profesor Çetinkaya, nuk punon asnjë nga Kosova. Arkeologu nga Kosova që është drejtpërdrejtë i lidhur me këtë gërmim arkeologjik është z.Kemajl Luci. Pjesën më të madhe të shpenzimeve për gërmime në këtë pjesë e mbulon IAK, përmes buxhetit që i ndanë MKRS-ja.

Profesor Haluk Çetinkaya gërmimet në Ulpianë i zhvillon bazuar në Memorandumin që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka nënshkruar me Universitetin e Arteve të Bukura ‘Mimar Sinan’ në Stamboll. Ky memorandum është nënshkruar në vitin 2011 dhe bazuar në këtë marrëveshje gërmimet kanë filluar në vitin 2012. Memorandumi i nënshkruar mes palëve parasheh 5 vjet bashkëpunim. Edhe me Memorandumin e nënshkruar, bartës i projektit të gërmimeve është IAK dhe çdo punë bëhet në bashkëveprim, koordinim dhe autorizim të IAK.

Çdo gjetje në këtë hapësirë, ku zhvillon gërmimet profesor Çetinkaya i dorëzohet IAK-ut, për studim të mëtejmë dhe prezantimin e tij më pastaj.

IAK dëshiron të bëje dije se raportet për dy vitet e fundit janë dorëzuar. Gjetjet që u raportuan dje në media, janë bërë kryesisht në vitin 2013, duke vazhduar edhe këtë vit, qe pjesa më e madhe e këtyre gjetjeve janë të përfshira edhe në raportin vjetor të punës të IAK-ut për vitin 2013.

Deri me tani çdo gjetje dhe studim i tyre është paraprak, apo i momentit të studimit dhe dyshimeve të arkeologëve. Raporti përfundimtar, që do të dorëzohet në IAK, do të sqarojë saktë vjetërsinë e çdo pjesë të hulumtuar dhe gjetur deri tani. Supozimet e arkeologut Çetinkaya, por edhe të IAK-ut, për momentin janë se Kisha në fjalë i takon shekullit të IV-V- të te erës sonë. Por ky datim nuk është absolut, sepse gjatë zhvillimeve të mëtejmë të gërmimeve, pra deri në përfundim të procesit hulumtimet mund të nxjerrin të dhëna të tjera që japin vlerësimet e fundit të bazuara në hulumtime shkencore.

Në vendin ku është gjetur kjo kishë, profesor Çetnikaya ka shpjeguar se në periudhën antike këtu janë ekzekutuar martirët e parë krishterë të popullatës ilire, Flori dhe Lauri. Por në media dje ka dalë informata se këta dy martirë janë të gjinisë femërore. Informata e transmetuar nga mediat është e pasaktë.

Instituti Arkeologjik i Kosovës shpreh kënaqësinë që ka gjithmonë një rritje të interesimet sa i përket arkeologjisë nga mediat dhe shoqëria në përgjithësi. Kjo në fakt vetëm sa rritë vetëdijen për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi të vendit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat