Ndalohen fluturimet mbi “Bondsteel”

Kosova

Ndalohen fluturimet mbi “Bondsteel”

Më: 17 gusht 2014 Në ora: 10:19

Kampi i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën ombrellën e KFOR-it në Kosovë, “Bondsteel”, është i shqetësuar për faktin se kohëve të fundit janë shpeshtuar fluturimet e paragllajdistëve të Kosovës mbi bazën kryesore të vet.

Mbi bazën e amerikanëve ditëve të fundit janë regjistruar dy fluturime të paautorizuara, me ç’rast “Bondsteel” është detyruar të tërheqë vërejtjen.

“E kam marrë një njoftim nga Autoriteti i Aviacionit të Kosovës, i cili më parë kishte pranuar një e-mail nga Ushtria Amerikane e “Bondsteel”-it, të cilët kërkojnë nga organet e Republikës së Kosovës të bëjnë investigim rreth dy incidenteve të ndodhura më 11 dhe 13 gusht”, tha për “Zërin” kreu aktual i Federatës Aeronautike të Kosovës, Fadil Gërguri.

“Kjo për faktin se vetëm 1.5 km larg bazës ushtarake në “Bondsteel” ka ndodhur një fluturim i paautorizuar me fluturake mikro të lehtë, ndërkohë që dy ditë më pas, vetëm 5 km larg bazës, është vërejtur një glider. Nga unë është kërkuar që t’i lajmërojë të gjitha klubet, pilotët, anëtarët e ndryshëm se çfarëdo aktiviteti në hapësirën e Republikës së Kosovës është i ndaluar nëse nuk e ka autorizimin nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës”, theksoi ai.

Gërguri thotë se nuk e ka idenë se cilët fluturues e kanë shqetësuar “Bondsteel”-in. “Unë me përgjegjësi të plotë them se ne nuk kemi asnjë njohuri për ndonjë fluturim, që është bërë nga anëtarët tanë dhe as që është lajmëruar dikush për ndonjë fluturim të mundshëm. Fluturimin mund ta ketë bërë dikush jashtë klubeve dhe jashtë Federatës, u shpreh ai.

Gërguri beson se ndonjë bashkatdhetar që ka ardhur për pushime në Kosovë nga diaspora mund të ketë fluturuar mbi bazën e njohur të Ushtrisë amerikane.

“Tani është koha e pushimeve dhe shumë persona vijnë nga diaspora, andaj nuk përjashtohet mundësia që dikush nga ata të ketë fluturuar. Unë me këtë rast, u bëj thirrje të gjithëve që të mos e bëjnë një gjë të tillë pa lejen tonë”, përfundoi Gërguri.

Siç dihet, fluturimet në qiellin e Kosovës shpesh bëhen edhe pa lejen e Federatës Aeronautike të Kosovës. Kjo e fundit kohëve të fundit është më e organizuar dhe organizon gara më të shpeshta, pra legjitime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat