Maxhuni: Ekstremizmi nuk është rrezik serioz. Droga e varfëria, po

Kosova

Maxhuni: Ekstremizmi nuk është rrezik serioz. Droga e varfëria, po

Më: 16 gusht 2014 Në ora: 19:22

Institucionet e sigurisë në Kosovë nuk e cilësojnë si rrezik serioz çështjen e ekstremizmit fetar. Kështu është shprehur publikisht në janar të këtij viti, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, megjithëse tregon se është në njohuri të të gjitha ngjarjeve e zhvillimeve të kësaj natyre.
I njëjti përkushtim nuk është parë të ndodhë deri tash me problemet më të mëdha të sigurisë, evidentuara nga Policia e Kosovës e që janë trafikimi i narkotikëve dhe problemet që vijnë nga mungesa e mirëqenies sociale.
Këto dy probleme, Maxhuni i kishte cilësuar si rreziqet kryesore në një intervistë në KTV (nga min 38), në janar të këtij viti, derisa ekstremizmin nuk e kishte quajtur rrezik serioz.
“Rreziqet që i kanosen shoqërisë kosovare nga format e krimit janë krimi i organizuar për vetë faktin se Kosova shtrihet në Ballkan dhe shfrytëzohet si rrugë transit. Këtu nënkuptoj kryesisht trafikimin me narkotikë… ndërkaq në lidhje me rrezikun e dytë, duhet ta kemi parasysh se Kosova është një nga vendet më të pazhvilluara ekonomikisht dhe gjendja sociale me një moment mund të jetë rrezik”, kishte thënë Maxhuni.
Kurse i shtyrë të përgjigjet se a është vërtetë ekstremizmi fetar rrezik për Kosovën, Maxhuni thotë se kësaj çështjeje i është dhënë më shumë hapësirë sesa duhet.
“Ne vlerësojmë që nuk ka rrezik serioz në përmasën çfarë duhet t’i atribuohet vendit tonë”, thotë Maxhuni derisa tregon se është në njohuri të të gjitha rrymave e lëvizjeve e grupeve që kanë për qëllim ekstremizmin.
Ai kishte shtuar në fund se nuk konsideron që Kosova mund të jetë arenë e caqeve të sulmeve të përmasave çfarë i shohim nëpër vende të ndryshme.
Ditë më parë, 40 persona ishin arrestuar nën dyshimin për terrorizëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat