UÇK duhet të trajtohet ndaras

Kosova

UÇK duhet të trajtohet ndaras

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 16:59

Thotë se UÇK nuk e ka pasur as qëllim, as planifikim dhe as aktivitet asnjë lloj krimi. Asnjëherë, sipas tij, krimi s’duhet të tentohet të fshihet, por as të implantohet aty ku nuk ekziston.
Rexhep Selimi, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe paraqitësi i saj i parë publik, thotë se kjo forcë ushtarake asnjëherë nuk e ka pasur qëllim dhe as aktivitet asnjë lloj krimi.
Këto komente, Deputeti i Vetëvendosjes i ka bërë duke folur në Politiko.net për Raportin e Prokurorit Amerikan Clint Williamson, i cili gjatë javës ka bërë publike të dhënat e para të një hetimi të Task Forcës së BE’së lidhur me krimet e luftës në Kosovë.
“Ato çfarë dëgjuam nga Prokurori Clint Williamson në konferencën për media, në të vërtetë nuk ishin të gjetura të një hetimi, por kishim të bënim me një rezultat të një hetimi 2 vjeçar, respektivisht 15 vjeçar, nga i cili hetim, normalisht, nuk pati të gjetura të pretenduara se UÇK ka bërë krime”, thotë ai.
“Në kohën kur në këtë Raport pretendohet-paragjykohet se ‘paskan ndodhur krime ndaj serbëve dhe të tjerëve, por nuk ka as emra e as trupa të viktimave, por ka vetëm kryes të krimeve nga ana e shqiptarëve…’ në të njëjtën kohë në Rashkë e në vende tjera në Serbi po vazhdojnë të gjinden edhe emrat edhe trupat e viktimave shqiptarë por jo kryesit e atyre krimeve”, thotë Selimi.
“Krimi është krim kurdo dhe kudo që ka ndodhur. Asnjëherë krimi nuk mund dhe nuk duhet të tentohet të fshihet, por as të implantohet aty ku nuk ekziston”, pohon ai.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e ka pasur as qëllim, as planifikim, e as aktivitet asnjëherë dhe asnjë lloj krimi”, vlerwson Selimi.
“UÇK duhet të trajtohet ndaras gjithçkaje që s’ka të bëjë me të, ndaras çfarëdo aktiviteti që s’ka të bëjë me qëllimin e saj, e po ashtu ndaras cilitdo individ, qoftë brenda, përreth apo edhe jashtë saj”, ka deklaruar Rexhep Selimi për Politiko.net.
Clint Williamson ka paralajmëruar se nga të gjeturat e tij do të ketë aktakuzë për drejtues të lartë të UÇK’së.
Madje, ka thënë se sikur të kishte një Gjykatë të krijuar, do të ishin në gjendje qysh tash të ngrehin aktakuzat.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale, e cila pritet të vendoset në Holandë, mirëpo deputetët e legjislacionit të ri do të duhet të aprovojnë procedurat për ndryshimin e Kushtetutës lidhur me të njëjtën çështje.
Rexhep Selimi thotë se Parlamenti i Kosovës e ka bërë një gjë të tillë tashmë.
“Në legjislaturën e kaluar është miratuar themelimi i këtij Tribunali. Ne kemi votuar kundër, por vota jone kundër ka qene e pamjaftueshme për ta parandaluar një gjë të tillë, për shkak se të gjitha subjektet tjera, me përjashtim te disa deputetëve të veçantë, e patën miratuar një gjë të tillë”, ka deklaruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat