Smaka: Kushtetuesja pa të drejtë trajton edhe çështje jokushtetuese

Kosova

Smaka: Kushtetuesja pa të drejtë trajton edhe çështje jokushtetuese

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 12:39

Gjykata Kushtetuese përveç lëndëve që kanë të bëjnë me kushtetutën, merret edhe me çështjet e ndryshme procedurale dhe me konteste të individëve të ndryshëm. Kjo nga eksperti i të drejtës kushtetuese, Riza Smaka shihet si një qasje jokorrekte nga Kushtetuesja. Smaka thotë se kjo gjykatë nuk do duhej të merrej me çështjet të cilat kanë përfunduar në instancën e fundit të gjyqësorit.

Nga institucionet ashtu edhe nga vetë qytetarët, Gjykata Kushtetuese po shihet si çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve. Eksperti i të drejtës kushtetuese, Riza Smaka thotë se Gjykata Kushtetuese pa të drejtë trajton çështje të kompetencës së gjykatave të përgjithshme, duke u marrë edhe me rastet individuale.

“Përpos që po i drejtohen institucionit vend e pavend, edhe Gjykata Kushtetuese nuk po përmbahet në temat të cilat nuk hyjnë në juridiksionin e saj. Ajo duhet të merret ekskluzivisht me vlerësimin e papërshtatshmërisë, të përshtatshmërisë, të akteve ligjore me Kushtetutën, apo të akteve nënligjore në aktet ligjore, e jo të merret me rastet individuale”, tha Smaka për transmetuesin publik.

Madje, Smaka e konsideron të panevojshme edhe kërkesën që presidentja e pati dërguar në Kushtetuese kohë më parë lidhur me çështjen e mandatarit.

Nga ana tjetër, anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, e quan dështim të drejtësisë në Kosovë, faktin që Kushtetuesja trajton edhe raste të cilat nuk kanë të bëjnë me çështjet kushtetuese.

“Jo të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese dhe të shkohet në Gjykatë Kushtetuese për çdo gjë. Ne duhet të ankohemi vetëm për çështje që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese, ku ankohen dy palë dhe e pezullojnë, siç ishte kjo e jona”, tha Haliti.

Profesori Smaka thotë Kushtetuesja nuk do duhej të merrej me çështjet që kanë përfunduar në Gjykatën Supreme, ngase sipas tij, kjo e fundit është e barabartë sa i përket nivelit me Gjykatën Kushtetuese dhe zgjidh çështje shumë më të ndërlikuara sesa Kushtetuesja.

”Nuk është në rregull që Gjykata Kushtetuese t’i vendos çështjet që kanë përfunduar në instancën e fundit të gjyqësorit, sepse nuk e ka një autorizim të tillë. Por në vendin tonë, nuk po funksionojnë institucionet si duhet. Madje në SHBA nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Është kolegj në kuadër të Gjykatës Supreme”, thotë Smaka.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese deri më tani i ka trajtuar me dhjetëra raste të ankesave të individëve të ndryshëm, të cilët kanë kontestuar vendimet e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit apo vendimeve të institucioneve të ndryshme. Së fundi, Kushtetuesja për shqyrtim ka rastin e kontestimit të seancës konstituive të 17 korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat