Hetohet privatizimi i distribucionit të KEK-ut!

Kosova

Hetohet privatizimi i distribucionit të KEK-ut!

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 14:27

Privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të KEK-ut ka nisur të hetohet nga organet e drejtësisë. Deri më tani është mbledhur shumë material për hetimin e këtij privatizimi, i cili u pa si i dyshimtë si nga partitë opozitare, poashtu edhe nga shoqëria civile.

Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetës Blic brenda Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë (EULEX). Sipas këtyre burimeve, gjatë hetimeve është mbledhur shumë material, i cili do të çojë në rezultate konkrete.

“Hetimet janë duke shkuar në rrugën e duhur. Deri më tani është mbledhur materie e duhur, e cila do të na qoj tek rezultatet konkrete”, raportojnë mediat online.
Ky burim nuk ka saktësuar se kush janë pistat të cilat janë nën hetime, megjithatë ka bërë të ditur se janë “në rrugë të mirë për të përfunduar këtë proces ashtu si duhet”.
Ndërkohë, askush nga EULEX-i nuk e ka konfirmuar zyrtarisht nëse kanë nisur apo jo hetimet për privatizimit e distribucionit të KEK-ut.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut kishte ndodhur para dy vjetësh. Qeveria e Kosovës e kishte vlerësuar ofertën e konsorciumit Limak dhe Çalik si më të mirën, duke e shitur këtë aset të shtetit për 26.3 milionë euro.

Shitja e distribucionit të KEK-ut për 26.3 milionë euro kishte nxitur reagime të shumta të organizatave të ndryshme jo-qeveritare si dhe të ekspertëve të ndryshëm. Edhe partitë opozitare, sidomos Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kishte reaguar ashpër për shitjen e këtij aseti shtetëror.
Më 5 qershor në një kumtesë të lëshuar për medie, “Lëvizja Vetëvendosje! e denoncon privatizimin e distribucionit të KEK-ut si një nga krimet ekonomike më të mëdha që po kryhen ndaj popullit të Kosovës. Kalimi i pronësisë, prej asaj publike tek ajo private, në rastin e privatizimit të distribucionit do të thotë kalim i monopolit prej duarve të shoqërisë, në duar të privatit. E një monopol privat vetëm do ta dëmtojë e do ta rëndojë edhe më tej gjendjen ekonomike të shoqërisë e të shtetit në Kosovë”.
Pos që u vlerësua kjo shitje prej 26.3 milionë euro si falje e distribucionit, ishin ngritur vazhdimisht dyshime për mundësinë e keqpërdorimit dhe për mundësinë e përfshirjes në korrupsion të zyrtarëve më të lartë të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Komitetit Qeveritar për Privatizimin e Distribucionit të KEK-ut dhe njëherësh Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, nënshkrimin e kontratës për privatizimin e Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KKDFE), e ka quajtur një moment të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës.
Megjithatë, edhe dy vjet pas privatizimit të Distribucionit, Kosova nuk i ka fare punët më mirë me furnizim me energji elektrike. Madje, muajve të fundit është përkeqësuar shumë gjendja e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat