Mblidhet kryesia e PDK-së

Kosova

Mblidhet kryesia e PDK-së

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 10:15

Situata e krijuar pas mbledhjes së kryesisë në dorëheqje të Kuvendit të Kosovës ka aktivizuar sërish Partinë Demokratike të Kosovës, e cila vazhdon të insistojë se posti i kryetarit të Kuvendit i takon kësaj partie, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet e 8 qershorit.

Një prej nënkryetarëve të PDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë për mediet se do të mblidhet Kryesia e PDK-së, e cila do të diskutojë për hapat që do të ndërmerren nga kjo parti në seancën e 17 korrikut, ku do të bëhet konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës.

“Kryesia e PDK-së do të mblidhet gjatë ditës se sotme, për të diskutuar rreth çështjes së krye parlamentarit. Në këtë takim do të ndërmerren të gjitha hapat që do të ndërmarrë PDK-ja gjatë seancës konstituive. Nuk ka asnjë dyshim se parlamentari i takon PDK-së dhe partnerëve të saj”, ka thënë një nga nënkryetarët e PDK-së, transmetojnë mediet.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se PDK-ja nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga pozita e krye parlamentarit të Kosovës.

“PDK-ja si parti fituese nuk e ka ndërmend të lëshojë pe karshi pozitës së krye parlamentarit dhe formimit të qeverisë. Në këtë drejtim askush nuk mund të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilët me votën e tyre ia kanë treguar secilës parti dhe individi veç e veç”, ka thënë ky nënkryetar i PDK-së, duke bërë me dije se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese për krye-parlamentarin, nëse blloku opozitar vazhdon të barrikadohet karshi kësaj çështje.

“Nëse blloku opozitar vazhdon të insistojë në këtë çështje, atëherë opsioni ynë i fundit mbetet Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat