Protestë në përkrahje të shqiptarëve të Maqedonisë

Kosova

Protestë në përkrahje të shqiptarëve të Maqedonisë

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 22:19

Një protestë në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë është mbajtur të dielën pasdite në Ferizaj.

Qindra qytetarë i janë bashkuar tifozëve "Ujqit" nga Ferizaj, duke kërkuar lirimin e të burgosurve shqiptarë në Maqedoni, të dënuar me burgim të përjetshëm në rastin "Monstra".

Protestuesit janë nisur nga sheshi "Adem Jashari" për të marshuar rrugës kryesore të qytetit.

Përpos pankartave që mbanin në duar me kërkesa për liri e dhe për të drejta të shqiptarëve të Maqedonisë, kanë shtruar kërkesa edhe përmes brohoritjeve: ‘Shkupi është i yni’, ‘Nuk jeni vetëm’, ‘Lironi të burgosurit’, ‘Ilirida-Dardani, krejt kjo është Shqipëri’, dhe të tjera.

Organizatori i kësaj proteste, Herton Hoxha, ka thënë se tifozët "Ujqit" dhe gjithë qytetarët ferizajas solidarizohen me familjet e të dënuarve shqiptarë

"Ne solidarizohemi me kërkesat e bashkombasve tanë në Maqedoni.Ata kanë bërë shumë për ne, në ditët më të vështira që keni kaluar në vitin 1999. Janë vëllezër tanë dhe nuk mund t'i lëmë në harresë, të mirën dhe të keqen do ta ndajmë bashkë", ka thënë Hoxha.

Protestës në Ferizaj i është bashkuar edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Ai ka thënë se kemi obligim moral dhe kombëtar që të përkrahim vëllezërit tanë dhe të solidarizohemi me kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

"Askush nuk kërkon më tepër se sa të realizohen të drejtat e barabarta të shiptarëve ashtu siç u garantojnë Kushtetuta e këtij shteti dhe Marrëveshja e Ohrit", ka thënë kryetari Suma.

E këngëtari ferizajas Labinot Tahiti, i cili është parë shpesh në protesta, ka thënë se populli shqiptar nuk është ai që kërkon luftë e konflikte, por kërkon të drejta, ashtu siç i kanë edhe popujt tjerë.

"Me këtë ne po demonstrojmë vullnetin tonë për solidarizim me vëllezërit tanë andej kufirit dhe për këtë nuk do të ndalemi, derisa të lirohen të burgosurit dhe shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara", ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat