Policia blen 1 milion euro xhipa

Kosova

Policia blen 1 milion euro xhipa

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 21:24

Policia e Kosovës (PK) ka blerë xhipa të tipit “Toyota” në vlerë prej rreth një milion eurosh. Sipas një njoftimi për dhënie të kontratës të të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, fitues i këtij tenderi është shpallur kompania “Autotrade”, e cila ka ofertuar me një çmim prej 989.700 eurosh, përderisa oferta më e lartë për këtë tender ishte 1 milionë e 4 mijë euro.

Megjithatë, në kontratë nuk jepen detajet as për llojin e xhipave e as nëse të njëjtit do të kenë pajisje ekstra, bazuar në faktin se ato do të përdoren për Policinë.

“Lënda e kontratës ka të bëjë me furnizimin me xhipa për nevojat e autoritetit kontraktues. Furnizimi duhet të jetë në pajtueshmëri me specifikat teknike”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës.

Kriter i përzgjedhjes së kompanisë “Autotrade”, thuhet të ketë qenë çmimi më i ulët, ndonëse nuk specifikohet kostoja e një veture xhip. Kontrata me Kompaninë është paraparë të nënshkruhet më 17 korrik të këtij viti.

Megjithatë, kjo kontratë mund të mos nënshkruhet në këtë datë që është paraparë, nëse ndonjëri nga operatorët ekonomikë do të ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat