Nuk mund të ketë pezullim të dialogut

Kosova

Nuk mund të ketë pezullim të dialogut

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 16:10


Analistët politikë konsiderojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.

Ata vlerësojnë se në këtë proces është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Analisti Halil Matoshi konsideron se dialogu do të vazhdojë sipas agjendës së Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh përbërjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

“Dialogu do të vazhdojë, pa marrë parasysh konstilacionin e forcave brenda Kosovës, do të thotë se kush do ta ndërtojë qeverinë e re. Madje, liderët e koalicionit opozitar janë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun. Mirëpo, në këtë situatë ndërhyrja e Vetëvendosjes e ka ashpërsuar në një masë retorikën politike”, thotë Matoshi.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga partitë politike opozitare (në rast të formimit të qeverisë nga ana e tyre), që riformatizojnë dialogut, që siç kanë thënë ata, në radhe të parë të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe që ky dialog të mos zgjasë në pafundësi.

Matoshi konsideron se janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çështja e dialogut të kuptohet si çështje e pezulluar.

“Në këtë çështje, kanë ndikuar sikur serbët e veriut të Kosovës, po ashtu edhe partitë politike kosovare, posaçërisht Vetëvendosje. Ka ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve, po ashtu edhe konstituimi i komunave të reja në veriun e Kosovës, por edhe kjo performancë cinike mbi urën e lumit Ibër ka bërë që dialogu i mëtutjeshëm të shihet me dyshim”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Halil Matoshi.

Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, mendon se vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beogradi është i domosdoshëm. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pas formimit të institucioneve të reja, qeveria e ardhshme duhet të shkojë tutje me dialogun politik, jo vetën në kuptimin formal, por duhet të arrihen qëllimet e dialogut.

“Dialogu duhet të vazhdojë, sepse e dimë që ky dialog ka qenë një atu e fortë e Brukselit. Të gjitha këto vite e muaj Brukseli nuk do të lejojë që një gjë e tillë të dështojë. Por, prapë po them se varet shumë nga institucione e reja, varet shumë nga koha kur këto institucione do të formohen që të vazhdohet dialogu, respektivisht të shihen mbase modalitetet e reja se si ky dialog të vazhdohet. Para se të vazhdohet, normalisht, i rëndësishëm është zbatimi i të gjitha atyre marrëveshjeve që janë arritur më herët”, vlerëson Mushkolaj.

Ndryshe, në këtë javë që po e lëmë pas, zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka pasur takime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Siç është bërë e ditur nga kabineti i zonjës Tahiri në agjendën e këtyre takimeve ka qenë analizimi i zbatimin të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Zëvendëskryeministrja Tahiri në takimin që ka pasur me drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin në Shërbimin për Punë të Jashtme të BE-së, Fernando Gentilini, në mënyrë të veçantë thuhet se ka ngritur çështjen e barrikadave të reja në urën e lumit Ibër dhe ka kërkuar angazhime të shtuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e tyre dhe mundësimin e lëvizjes së lirë sa më shpejtë, ashtu siç është premtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat