VV, për konfiskim të pasurisë të paligjshme

Kosova

VV, për konfiskim të pasurisë të paligjshme

Më: 20 prill 2014 Në ora: 18:33

​Sot në Deçan, Lëvizja Vetëvendosje bëri prezantimin e Alternativës Qeverisëse dhe hapave kryesor të realizimit të saj. Në tubim morën pjesë Dardan Molliqaj, sekretar organizativ; Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar dhe Albin Kurti, kryetar.
Molliqaj tha se VV ka qenë subjekti politik i cili e ka pasur analizën më të saktë në 9 vitet e fundit në Kosovë dhe për këtë madje pajtohen edhe kundërshtarët politikë të saj.

Visar Ymeri foli për situatë politike në vend dhe sfidat kryesore që po e presin Kosovën në ditët e ardhshme: zgjedhjet parlamentare, mandati i EULEX-it dhe gjykata ndërkombëtare e cila po paralajmërohet për Kosovën.

"Lëvizja Vetëvendosje qysh nga viti 2011 ka kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sikur të përfillej kërkesa jonë, shumë të këqija që i kanë ardhur vendit nga kjo Qeveri, siç është marrëveshja e 19 prillit dhe pasojat e saj, Ligji për Amnisti dhe asociacioni i komunave serbe, nuk do të bëheshin. Kësisoj ka degraduar sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi kushtetues i vendit", tha ai.

Sa i përket mandatit të EULEX-it dhe gjykatës apo tribunalit ndërkombëtar, të cilat sipas të gjitha gjasave do të votohen në seancën e Kuvendit të Kosovës, Ymeri tha se të dyja e dëmtojnë dhe e njollosin Kosovën.

"Neve nuk na është lejuar sistemi i pavarur gjyqësor në vend, por na janë imponuar misionet, e tash po na thuhet: juve ju duhet misioni ndërkombëtar dhe gjykata ndërkombëtare, sepse nuk keni sistem të pavarur gjyqësor. Përveç që na barazuan në Gjykatën e Hagës, duke na akuzuar të gjithëve nga pak, tani po na thonë se juve ju duhet një gjykatë të veçantë për të cilën as nuk e dimë kush do ta formojë, as kush do t'i emërojë gjyqtarët, kush do ta financojë dhe kujt do t'i japë llogari", përfundoi ai.

Albin Kurti, pasi i përshëndeti të pranishmit tha se Alternativa Qeverisëse e VV-së është alternativë e të gjitha qeverisjeve pas luftës, si shërbim për qytetarët dhe duke iu dhënë llogari atyre.

Ai paralajmëroi se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, TVSH-ja do të jetë zero për bukën, vajin, kripën, sheqerin, miellin, qumështin dhe librat. Ai gjithashtu foli edhe për rimëkëmbjen e industrisë prodhuese, të drejtat e punëtorëve dhe organizim sindikal, bujqësi të fortë që zëvendëson importet, arsim pa pagesë dhe i lidhur me ekonominë, sigurime shëndetësore publike, rritje e pensione si solidaritet midis gjeneratave, politikën e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit, banka për zhvillim jo për fajde, sovranitet ekonomik mbi pasuritë natyrore dhe ligj për barazi dhe konfiskim të pasurisë së paligjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat