Kurti: Kemi nevojë për shtet të së drejtës, shtet zhvillimor dhe shtet social

Kosova

Kurti: Kemi nevojë për shtet të së drejtës, shtet zhvillimor dhe shtet social

Më: 18 prill 2014 Në ora: 22:10

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se kjo lëvizje, para se të jetë një komunitet i shokëve, shoqeve, aktivistëve, bashkëveprimtarëve, në fakt është një koncept politik, e cila, sipas tij, tash është thelluar dhe është zgjeruar në Alternativën Qeverisëse, e cila i përmban 20 kapituj dhe tri shtylla kryesore: shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social.
“Shteti i së drejtës duhet të garantojë dhe të sjellë drejtësi tek qytetarët, shteti zhvillimor do të thotë që shteti mos të jetë spektator në ekonomi, por ta inkurajojë zhvillimin e bazuar në prodhim, dhe shteti social do të thotë që me politika sociale ta zbusim pabarazinë”, ka thënë Kurti.

Këtë mesazh, Kurti e përcolli, gjatë një takimi që përfaqësues të VV-së mbajten në Vushtrri, me ç’rast prezantuan edhe hapat kryesorë në realizimin e Alternativës Qeverisëse të saj.

Sipas Visar Ymerit, janë tri sfida që po e presin Kosovën në ditët që vijnë: zgjedhjet parlamentare, zgjatja e mandatit të EULEX-it dhe formimi i asaj që po quhet herë tribunal, herë gjykatë speciale e herë gjykatë speciale për krime lufte.

Lëvizja Vetëvendosje, vazhdoi më tej Ymeri, ka qëndrim se duhet të shkohet në zgjedhje pas rrëzimit të qeverisë, sepse ajo mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen në të cilën Kosova gjendet sot.

Ndërkaq sa i përket mandatit të EULEX-it dhe tribunalit, ai vërejti se këto janë dy të padrejta që po i bëhen Kosovës, duke theksuar se Kosova ka nevojë për fuqizimin e sistemit të vetë të drejtësisë, e jo për misione e gjykata të imponuara.

Anëtari i ri, Avni Zogiani, tha se ideja e demokracisë, është në fakt përmirësimi i mirëqenies dhe krijimi i barazisë në mes qytetarëve. Ai tha se për t’u arritur këto, duhet patur një politikë të përgjegjshme dhe parimore, e jo politikë të negociatave e të koncesioneve nga një elitë politikë politike, e korruptuar dhe e shantazhuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat