Lutfi Haziri në mëngjes shan Kadri Veselin, në mbrëmje darkon me të në Prishtinë

Kosova

Lutfi Haziri në mëngjes shan Kadri Veselin, në mbrëmje darkon me të në Prishtinë

Nga: Nga ILIR TAHIRI Më: 18 prill 2014 Në ora: 15:06

Ilir Tahiri, një aktivist në PDK’së në Gjilan, ka bërë një shkrim për Radion Energji të këtij qyteti. Në shkrim ai pretendon se Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri fyen në mëngjes Kadri Veselin, Zëvendëskryetarin e PDK’së, kurse në mbrëmje darkon me të në restorantet e Prishtinës.
Përndryshe, kohët e fundit, Lutfi Haziri, Agim Veliu e Ismet Beqiri, sipas burimeve të mediave, përfolen si njerëz që po e shtyjnë idenë që LDK të garojë me një kandidat tjetër për Kryeministër, e jo me Isa Mustafën.

Ja shkrimi i plotë.

Pas takimeve të djeshme të Lutfi Hazirit me Kadri Veselin, më del që, ose janë dy “Lutfi Hazir”-a ose dy “Kadri Vesel”-a!

Nga ILIR TAHIRI

Nëse politika do të kishte moral, Lutfi Haziri, ose do të fliste kundër të ish SHIK-ut dhe Kadri Veselit në seancën e Kuvendit Komunal në Gjilan (siç bëri dje), ose do të darkonte po me ish kreun e SHIK-ut Kadri Veselin, në restorant PURO në Prishtinë, (po ashtu, siç bëri dje në mbrëmje) – por t’i bëjë të dyja këto, madje brenda të së njëjtës ditë, kjo të detyron ta nxjerrësh në publik këtë informatë!

Nuk e konsideroj mëkat as veprimin e tij të parë, as veprimin e tij të dytë – veç e veç – por i konsideroj të pamoralshme të dyja bashkë si tërësi, sepse nuk shkojnë, aq më pak brenda një dite!

Në këtë rast, nuk dua ta mbrojë Kadri Veselin e mbrëmjes nga Kadri Veseli i mëngjesit të Lutfi Hazirit, sepse për mua Kadri Veseli është një person – jo dy. Nuk besoj që ekzistojnë dy “Kadri Vesel”-a, një të cilit i referohet Lutfi Haziri në seancë të Kuvendit Komunal dhe një tjetër me të cilin takohet në mbrëmje! Po kështu, nuk besoj që ekzistojnë dy “Lutfi Hazir”-a, një që flet kundër Kadri Veselit në seancën e Kuvendit Komunal në Gjilan, dhe një tjetër që Takohet me Kadri Veselin në mbrëmje! Ajo që dua të mbrojë është e vërteta, dhe në një formë inteligjenca jonë! Siç thuhet – në këtë rast, jo se lodhemi për moralin e politikës – por mos të na fyhet inteligjenca jonë më keq se me reklamat e KFOR-it, kur një shqiptar e një serb harrojnë gjithë të kaluarën dhe luajnë, hanë e pinë bashkë!

Këtu ose ka dyfytyrësi ose dyLutësi! Për shembull: Për ne të PDK-së, është mirë që është takuar me Kadri Veselin – pse të mos takohet – por është keq që ka folur kundër tij paradite në seancë! Ndërsa për anëtarët e LDK-së është mirë që ka folur kundër Kadri Veselit në seancë por është keq që është takuar me të në mbrëmje!

Në krejt këtë që ndodhi dje, kam një dilemë, një pyetje që do t’ia bëja Lutfi Hazirit, i cili si zakonisht nuk përgjigjet: A jeni dy “Lutfi Hazir”-a, apo janë dy “Kadri Vesel”-a! Ndryshe, nuk më duket e logjikshme që i njëjti, Lutfi Haziri, paradite në seancë të thotë ato që dëgjuam për Kadri Veselin, se ka kaluar koha e tij e askush më nuk ka frikë nga ai, dhe në mbrëmje të darkojë me të e të kërkojë mbështetje nga ai!

Nëse do të përgjigjej, Lutës së njohur edhe për eksperiencën e tij fetare, i mbetet vetëm një përgjigje, ajo që i atribuohet, mbase pa të drejtë hoxhës: “mos më këqyrni çfarë bëj por më dëgjoni çfarë them”! Këtë shprehje frazeologjike më së miri e përmbush karakteri i Haxhi Lutës në raport me deklarimet e tij për SHIK-un, të kundërta me veprimet e tij me SHIK-un!

Sa i përket asamblistëve të PDK-së që ishin dje në seancë, jam i sigurt që as nuk e kanë numrin e telefonit të Kadri Veselit – për të cilën gjë, jam i bindur që Lutfi Haziri e ka.

Ata asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie bashkëpunimi me SHIK-in, ndërsa për Lutfi Hazirin ka një opinion publik se është shok i ngushtë i ish shefit të këtij shërbimi – e unë jam i bindur për këtë!

Një gjë për të cilën ju garantoj, është se asnjë nga ata anëtarë në asamble komunale të Gjilanit kurrë nuk ka kërkuar ndihmën e Kadri Veselit për vota në zgjedhje as për avancime në parti – ndërsa për Lutfi Hazirin ju garantoj që e ka kërkuar këtë, po nga Kadri Veseli! Teksa asnjë nga asamblistët që ishin aty nuk janë ndihmuar nga Kadri Veseli për të arritur aty ku janë në politikë!

Gjithashtu, edhe për të ardhmen, asnjë nga anëtarët e PDK-së në Gjilan nuk ka kërkuar nga Kadri Veseli që të mbështetet për ta marrë partinë, për t’u bërë deputet, për t’u bërë kryetar partie apo edhe për të konkurruar për kryeministër, ndërsa për Lutfi Hazirin jam i sigurt që e ka kërkuar këtë po nga Kadri Veseli – nga ai i mbrëmjes me të cilin është takuar, që është i njëjti me atë të paradites, me emrin e të cilit u mundua t’i frikësojë asamblistët e PDK-së!

Tash, një gjë që më ka mbetur pa e marrë vesh nga ai takim, është se me cilin Kadri, Lutfi Haziri do ta rrëzojë Isa Mustafën nga kreu i LDK-së, me Kadriun e përshkrimit të rrezikshëm të mëngjesit apo me Kadriun e lezetshëm të mbrëmjes?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat