Alarmante, Njësia Speciale e përfshirë në krim të organizuar!

Kosova

Alarmante, Njësia Speciale e përfshirë në krim të organizuar!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 17 prill 2014 Në ora: 11:12

Kryetari i Komisionit, Florin Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se, një pjesë e vogël e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë krimi i organizuar në Kosovë, dhe se, qëllimi i shqyrtimit të këtyre ankesave është që personat që kanë bërë krim të organizuar dhe kanë përdor dhunë ndaj qytetarëve, të mos avancohen më tutje në Policinë e Kosovës, dhe askujt të mos i bëhet asnjë padrejtësi.

“Unë e kam thënë disa herë, se një pjesë e vogël e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, janë pothuajse krimi i organizuar në Kosovë, ata bëjnë bartjen e pareve, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit. Krejt esenca e ligjit është me i largu ata njerëz. Në qoftë se nuk arrijmë me i largu kriminelët prej policisë dhe rendit publik, atëherë ne kemi shumë problem”, ka thënë Krasniqi.

Analisti për Inteligjencë dhe siguri, Drizan Shala, thotë për Gazetën “Bota sot”, se deklarata e Kryetarit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Florin Krasniqi i cili ka thënë se, një pjesë e vogël e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë të përfshirë në krim të organizuar nuk është diçka befasuese dhe as e pa pritshme.

“Tash kur Kosova është bërë qendër transiti e drogës, trafikimit me çenje njerëzore, nuk ka se si të mos del në shesh se edhe në hyrjen dhe bartjen e drogës po kujdeset një pjesë vogël e njësisë speciale të Kosovës. Vendosja e aparaturave ma moderne në pikat doganore të Kosovës për gjurmimin dhe identifikimin e gjërave që janë të ndaluara me ligj dhe hyrja me automjete e sasive aq të madhe të drogave e pa penguar dhe zënja e një pjese në brendësi të territorit tregon se brenda strukturave të policisë së Kosovës ka element që janë të lidhur me grupet e organizuar të cilat merren me transportimin e materialeve që janë të ndaluara me ligj”, thotë Shala.

Ai thekson se kjo deklaratë e z. Flornin Krasniqi duhet të jetë alarm për policinë e Kosovës dhe duhet të bëjë përpjekje për hetimin, zbulimin dhe kapjen e atyre keqbërësve, që të mos i qesin hije të keqe Policisë së Kosovës.

“Policia jonë që moti ka nevojë për një hetim të brendshëm sepse ka elemente Brenda saj që duhet pastruar duke filluar nga familjarizimi etj.”, pohon Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat