Zhbogar takoi drejtuesit e PD-së

Kosova

Zhbogar takoi drejtuesit e PD-së

Më: 8 prill 2014 Në ora: 22:41

Kryesuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka takuar të martën kryetarin e Partisë së Drejtësisë dhe njëherësh ministër i Shëndetësisë, Ferid Aganin dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Gëzim Kelmendi e Jeton Svirca.

Zhbogar i njoftoi drejtuesit e PD-së, për letrat shkëmbyese ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian që do të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, e që kanë të bëjnë me misionin e Eulex-it dhe formimin e një Gjykate Speciale për Kosovën.

Ndërsa, delegacioni i PD-së theksoi nevojën për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe përfundimin e tij gjatë periudhës tranzitore prej dy vjetëve, si dhe nevojën për veprimin e vendosur të Kuvendit të Kosovës me qëllim të anulimit sa më të shpejtë të efekteve negative të raportit të Dick Martit për proceset të shtetndërtimit të Kosovës dhe imazhin e saj ndërkombëtar.

Gjatë takimit, kryetari Agani, e theksoi domosdoshmërinë e ndërprerjes së shkeljes së mëtutjeshme të lirive dhe të drejtave fetare të nxënësve të besimit islam të cilat privohen nga vijimi i mësimit për shkak të bartjes së shamisë.

Si dhe domosdoshmërinë e krijimit të kuadrit të nevojshëm ligjor për fillimin e zbatimit të lëndës së edukimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, sipas modelit të Republikës së Austrisë, në funksion të parandalimit të dhunës në shkolla, konsumimit të substancave narkotike, si dhe dukurive tjera negative që kanë filluar të paraqiten në shoqëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat