Avokati i Popullit u takua me kryetarin e Prishtinës

Kosova

Avokati i Popullit u takua me kryetarin e Prishtinës

Më: 7 prill 2014 Në ora: 16:33

Në vazhdim të takimeve që Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka realizuar me kryetarët e komunave, të dalë nga zgjedhjet e fundit lokale në vend, ai sot ka vizituar Shpend Ahmetin, kryetar i Komunës së Prishtinës.
Në takim u bisedua lidhur me ankesat që drejtohen në Institucionin e Avokatit të Popullit, me theks të veçantë ato ankesa që drejtohen kundër autoriteteve komunale të Prishtinës. Me këtë rast, Avokati i Popullit, e informoi z. Ahmeti lidhur me fluksin e ankesave që IAP ka pasur viteve të fundit ndaj institucioneve komunale, si dhe me natyrën e këtyre ankesave.
Avokati i Popullit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mire midis IAP dhe institucioneve publike në dobi të qytetarëve, por edhe të vetë institucioneve.

Nga një bashkëpunim i mirë, i hapur dhe i sinqertë e i përgjegjshëm midis institucioneve përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët.
Po ashtu, z. Kurteshi qartësoi se komuna, si person juridik, gjithashtu e ka derën e hapur në IAP, për t’u konsultuar apo për të mbrojtur të drejtat legjitime, si autoritet publik.
Kryetari i Komunës së Prishtinës shprehu konsideratën e tij për AP-në dhe punën që bën ky institucion dhe deklaroi gatishmërinë për bashkëpunim lidhur me trajtimin e rasteve që drejtohen tek Avokati i Popullit, por gjithashtu mirëpret të gjitha vërejtjet që ky institucion mund të ketë në rastet kur konsiderohet se të drejtat dhe liritë e njeriut cenohen.

Deri më tani, Avokati i Popullit z. Sami Kurteshi, që nga pranimi e detyrës nga krerët e rinj të komunave gjithandej në Republikën e Kosovës, ka vizituar edhe komunën e Pejës, Gjakovës dhe komunën e Lipjanit, përderisa cikli i vizitave do të vazhdojë edhe në komunat tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat