Në ndërrimin e moteve, në disa fshatra të Malishevës s’ka rrymë

Kosova

Në ndërrimin e moteve, në disa fshatra të Malishevës s’ka rrymë

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 22:38
Ilustrim

Në disa fshatra të Malishevës kanë probleme me furnizim me energji elektrike. Kjo për shkak të rrjetit të dobët, por edhe nga mbingarkesa.

Rexhep Shala banor i fshatit Mleqan të Malishevës, në orët e fundit para ndërrimit të motmoteve, nuk ka energji elektrike.

Shala thotë se me mungesë të energjisë elektrike ballafaqohet tash e një kohë të gjatë. Madje ai thotë se edhe atëherë kur ka energji elektrike, u vjen shumë e dobët.

Ai thotë se i është dashur të investojë mijëra euro në pajisje për forcimin e saj.

“Nuk ka rrymë. Por edhe kur ka nuk bënë. Nuk jemi tu e vajtu pse nuk ka rrymë tash. Dy orë le të vjen rryma, unë i bëjë disa sene e disa gjëra, por ato dy orë nuk vjen hiç se është rryma e dobët. Po na i djeg pajisjet dhe nuk po guxojmë me i përdorë”, tha Shala.

Përfaqësuesi i banorëve të fshatit, Ismet Kryeziu, thotë se me këtë problem po ballafaqohen mbi 1200 banorë me rreth 300 shtëpi.

Ai thotë se vazhdimisht kanë bërë ankesa, por që asnjëherë ato nuk janë marrë parasysh.

“Kanë filluar rrjetin me bë. Këtu kanë bë lojë. Kanë filluar deri diku e kanë lënë, shumë lagje ende kanë mbet pa rrjet. Askush nuk interesohet që mërgata ka filluar me ardhur. Ne kemi me u kthy në kohën e “Ali Pash Bungut” kur s’ka pas ujë, kemi me u la me pacërka”, deklaroi ai.

Ndërkaq, KEDS dhe KESCO njoftojnë të gjithë konsumatorët se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është i qëndrueshëm.

Por gjithashtu kanë sqaruar se furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve të tensionit të lartë që mund të shkaktojë mbingarkesa./RTK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat