​Hajredini: Deri në dhjetor do të hartojmë raportin shtetëror për zbatimin e konventës

Kosova

​Hajredini: Deri në dhjetor do të hartojmë raportin shtetëror për zbatimin e konventës

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Deri në dhjetor do të hartohet raporti shtetëror për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Kështu u tha në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në Ditën Botërore të Fëmijëve. Po ashtu, u theksua se Kosova po vazhdon të ballafaqohet me mungesë të të dhënave cilësore dhe të besueshme të të drejtave të fëmijëve.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se çështja e të drejtave te fëmijëve është prioritet i qeverisë. Ai tha se në 14 komuna janë themeluar ekipe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Hajredini: Deri në dhjetor do të hartojmë raportin shtetëror për zbatimin e konventës

"Jemi të obliguar qe të hartojmë raportin shtetëror për zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Ne kemi nisur kështu një proces, ka qenë një dinamikë e punës me përkrahjen e UNICEF-it për ngritjen e kapaciteteve, kemi futur në funksion strukturën institucionale dhe presim që deri në dhjetor apo në pranverën që vjen, ne të kemi një raport në detaje që specifikon progresin e zbatimit të kësaj konvente por edhe vështirësitë. Për neve si Kosovë është shumë mirë që të demonstrojmë dhe të shohim se ku jemi me këto problematike dhe çfarë mund të ndërmarrim në të ardhmen për të jetësuar këtë”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi theksoi se po punohet në implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Rexhepi: Një ndër të arriturat është hartimi i raportit shtetëror për zbatimin e konventës

"Një ndër të arriturat më domethënëse është hartimi i raportit shtetëror për zbatimin e konventës për të drejtat e fëmijës. Veprim ky qe shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e mirë politik të Qeverisë së Kosovës që të marrë përsipër për t'i përmbushur obligimet ndërkombëtare të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore e të patjetërsueshme për të gjithë fëmijët në Kosovë, siç janë përcaktuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, që njëherit është akti më i rëndësishëm i të drejtës ndërkombëtare në të cilën janë parashikuar të Drejtat dhe detyrimet në të gjitha fushat e jetës së fëmijës. Proces ky i udhëhequr nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit si mekanizimi kryesor i mandatuar koordinues ndërministror në fushën e të drejtave të fëmijës, në bashkëpunim me ministritë relevante të linjës dhe me përkrahjen e Zyrës së UNICEF në Kosovë", deklaroi ajo.

Ajo theksoi se Kosova vazhdon te përballet me mungesë të të dhënave për zbatimin e të drejtave të fëmijëve. Zëvendëskryeministrja theksoi se nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës janë aprovuar tetë udhëzime administrative.

Rexhepi: Kosova vazhdon të ballafaqohet me mungesë të të dhënave cilësore

“Përkundër përpjekjeve për avancim të sistemeve informative të të dhënave, Kosova vazhdon të ballafaqohet me mungesë të të dhënave cilësore dhe të besueshme për monitorim të të drejtave të fëmijëve. Sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova përfshinin cilësinë e dobët të të dhënave, disponueshmërinë e kufizuar të të dhënave të zbërthyera dhe mungesa e një baze qendrore për monitorim të të drejtave të fëmijëve. Parelelisht me analizimin e gjendjes aktuale ne jemi duke punuar në evitimin e këtyre sfidave dhe në këtë drejtim është duke u punuar intensivisht në ndërtimin e sistemit të integruar dhe ndërinstitucional të monitorimit dhe vlerësimit të të drejtave të fëmijëve”, shtoi ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat