​Nderohen heronjtë në Rahovec

Kosova

​Nderohen heronjtë në Rahovec

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 15:37
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e 25-vjetorit të rënies, Komuna e Rahovecit ka organizuar sot manifestimin përkujtimor dhe kulturor te kulla e heronjve për heronjtë e kombit tonë Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Ismail Latifi, tha se edhe pse fizikisht nuk janë mes nesh , shpirti i tyre luftarak dhe liridashës mbeten në rrugëtimin e Kosovës edhe sot drejt zhvillimit dhe integrimeve euro-perëndimore.

Latifi: Historia e kombit tonë është histori e vuajtjeve

“Pavarësisht viteve që kalojnë, kujtesa jonë historike nuk zbehet dot… Historia e kombit tonë është histori e vuajtjeve, e persekutimeve, e ndjekjeve, ekzekutimeve sistematike, madje me tendenca asgjësimi e shkombëtarizimi… 25 vjet më parë, në një ballafaqim të egër e të pabarabartë ndërmjet forcave të blinduara serbe dhe liridashësve shqiptarë ranë në fushë të nderit bijtë të zgjedhur të kësaj toke… Dihet mirë roli dhe angazhimi i Xhelal Hajda-Tonit dhe shokëve të tij në Jabllanicë, Gllogjan, në zonën e Dukagjinit dhe zonën e Drenicës. Duhet të përmendim faktin se këta dy viganë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i vunë bazat e organizmit ushtarak në Anadrini, dhe u bënë bartës të shumë operacioneve ushtarake. Pas sulmeve armike dhe betejave të ashpra në Anadrini, Toni e Mici ndërmorën hapa të vendosur për të riorganizuar Brigadën 124 Gani Paçarizi.Vendosmëria e tyre ishte shtyrje dhe motivim për luftëtarët e lirisë… Ndonëse fizikisht nuk janë mes nesh, shpirti i tyre luftarak dhe liridashës mbetet prore në rrugëtimin tonë edhe sot drejt zhvillimit dhe integrimeve euro-perëndimore”, tha Latifi.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se jo vetëm që duhet ta kujtojmë, por edhe të marrim mesazh se cila ishte kjo rrugë e rëndë që i prinë njerëzit e devotshëm, njerëzit që e duan kombin e që sot janë padrejtësisht duke u përballur në Hagë.

Isufi: Kësaj rruge i prinë njerëzit që sot janë padrejtësisht në Hagë

“Jo, vetëm që duhet ta kujtojmë, por edhe të marrim mesazh, se cila ishte kjo rrugë e rëndë. Kësaj rruge i prinë njerëzit e devotshëm, njerëzit që e duan kombin e që sot janë padrejtësisht duke u përballur në Gjykatën e Hagës,” tha Isufi.

Djali i dëshmorit, Seladin Mullabazit, Ermal Mullabazi tha se dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve, por i takojnë të gjithë kombit.

Mullabazi: Dëshmorët i takojnë gjithë kombit

“Këto shenja të kujtesës historike, na kujtojnë se sa shtrenjtë na kushtoi liria dhe kjo do të thotë se dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve, por i takojnë gjithë kombit,” tha Mullabazi.

Ndërsa, Daut Haradinaj tha për KosovaPress, se Toni e Mici shquhen në mesin e shumë figurave të mëdha të luftës së Kosovës.

Haradinaj: Toni e Mici në mesin e shumë figurave të mëdha të luftës për liri

“Pikërisht tri ditë, para se të vijë data 6 nëntor 1998, kisha fatin të jemi bashkë me Tonin dhe Micin në Jabllanicë.Edhe pse Mici ishte pak i plagosur, por ishte një kohë shumë e keqe, për UÇK-në, kërkohej edhe armatim, por edhe zgjerim i frontit dhe tri ditë më vonë, pas një lufte, po them 8-mujore e morëm lajmin e tyre pikërisht në këtë vend, dhe mendoj se prej plot figurave të mëdha të luftës sonë për liri ishin edhe këto dy figura, Toni e Mici që ia kemi borxh jo vetëm lirinë, por shihet që edhe brezi i ri, edhe shkollat sot e bartin me krenari këtë emër,” tha Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se liria e Kosovës është arritur falë gjakut të dëshmorëve.

Berisha: Liria e Kosovës erdhi falë gjakut të dëshmorëve

“Mendoj që liria e Kosovës nuk do të kishte ardhur kurrë me konferenca për shtyp, pa gjakun e derdhur të këtyre dëshmorëve që e kemi për obligim t’i kujtojmë dhe t’i respektojmë. Jemi krenarë me këto familje tash, por edhe me sakrificën e këtyre burrave, ” tha Berisha.

Ndryshe, më 6 nëntor 1998 ranë dëshmorë heronjtë e kombit Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat