Vlerat e rritura të manganit në ujë, IKShPK nuk jep përgjigje se çka shkakton dhe çfarë pasojash mund të ketë

Kosova

Vlerat e rritura të manganit në ujë, IKShPK nuk jep përgjigje se çka shkakton dhe çfarë pasojash mund të ketë

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 20:36
Foto ilustrim

Që nga dita e enjte të gjitha zonat që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni akumulues i Badocit nuk mund ta përdorin atë për pije e as për përgatitje të ushqimit, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte bërë të ditur se në analizat e bëra fiziko-kimike të mostrave të ujit ka vlera të rritura të Manganit.

Në njoftim e tyre thuhej se IKSHPK ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.

KRU “Prishtina”, nga dita e premte ka shpërndarë ujë të pijes për qytetarët me autobote në disa zona ku uji i pijes nuk rekomandohet të përdoret si në Graçanicë, Kishnicë, Hajvali, te rruga “C”, lagja Padalishtë, në “Bregun e Diellit”, në Llapnasellë, në lagjen e spitalit para Xhamisë dhe në Preoc, te rruga” Muharrem Fejza”, në rrugën ” Malush Kosova”, etj.

Media në vazhdimësi ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të IKShPK-në për të marrë informacione se cili është ndikimi i këtij elementi kimik në trupin e njeriut dhe cilat janë rreziqet, mirëpo ende nuk ka marr një përgjigje nga ta.

Ndërkaq, zëdhënësja e “KRU Prishtina”, Arjeta Mjeku ditë më parë ka thënë se cilësia e ujit për momentin nuk është në gjendje të pastër për pije, pasi që gjatë monitorimit të ujit është vërejtur një sasi e manganit dhe menjëherë janë ndërmarrë masa për zvogëlim të prodhimit të ujit.

Mjeku shtoi se situata aktuale nuk është alarmante dhe nuk do të zgjasë shumë, ndërsa për momentin qytetarët po furnizohen me autobot deri në zgjidhjen e këtij problemi.

“Besojmë që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, por pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur sasia e manganit. Këtu ndodhet miniera e Kishnicës. Mangani është rritur për shkak se është një dukuri natyrore, kur netët janë të ftohta. Kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera. Mënyra e vetme është furnizimi me autobot deri në qetësimin e situatës rreth furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Mjeku.

Ndryshe, zonat që nuk duhet ta përdorin ujin për pije dhe përgatitje të ushqimit janë:

Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Ajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe te gjitha tjerat qe gravitojnë ne brezin Gracanice – Prishtine, pastaj Lagjet Qendresa, Qendresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Cagllavice, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha ne Matiçan” zonat ne drejtim te zonës industriale drejtimi per Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamise ne Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtesise, fshati ndërkombëtar, Mati rruga Muharrem Fejza me te gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet ne lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale), dhe objektet e kyçura direkt ne linjat magjistrale Badovc Prishtine, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezerit Gervalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazt”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore ne Bregun e Diellit zonat Qender dhe zonat tjera afër Qendres Tregtare ne brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat