​Thirrje për kontrolle periodike për të parandaluar kancerin e gjirit

Kosova

​Thirrje për kontrolle periodike për të parandaluar kancerin e gjirit

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 11:22
Pamje nga aktiviteti

Aktivistë të klubit sportiv “Gërmia 555”, së bashku me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtorin për Shëndetësi, Izet Sadiku vrapuan në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për kontrolle për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se tashmë janë të gjitha kushtet që i mundësojnë qytetarëve që të mos presin në radhë dhe të realizojnë kontrollet për të parandaluar dhe kuruar në kohë kancerin e gjirit.

Rama: Të paktën një herë në vit të bëhet mamografia

"Nuk duhet vetëm në një ditë ta kujtojmë edhe ta luftojmë kancerin, por duhet çdo ditë. Së bashku mundemi, doktor Izeti (Sadiku) është duke i mbajtur një seri takimesh nëpër hapësira publike në vende të ndryshme për ta ngritur vetëdijesimin tek qytetarët se kanceri i gjirit është faktikisht i parandalueshëm nëse e zëmë nëpër ato fazat e para. Zakonisht, për fat të keq shumica e shoqërisë që preken nga kanceri i gjirit e marrin vesh vetëm në fazën e katërt kur edhe është shume e vonshme. I kemi të gjitha kushtet tash, kemi mamografitë, të cilat i kemi investuar, dhe nuk ka nevojë faktikisht të presin në radhë. Ju lus të gjithë qytetarëve që ta bëjnë këtë të zakonshme që të shkojnë së paku një herë në vit të kontrollohen që të parandalojnë këtë dukuri që merr jeta të ndryshme dhe ndan familje. Por, që mundet faktikisht të shpëtojnë nëse e zëmë në fillim”, u shpreh Rama.

Tutje, i pari i Prishtinës, Përparim Rama potencoi se ka vend për përmirësim, sa i përket mundësive që ndihmojnë në parandalimin dhe kurimin e kësaj sëmundje, duke theksuar se teknologjia dhe shëndetësia investojnë vazhdimisht në këtë aspekt.

Po ashtu, edhe drejtori për Shëndetësi i Prishtinës, Izet Sadiku u bëri thirrje të gjitha grave që të bëjnë kontrollet për sëmundjen e kancerit e gjirit sepse sipas tij numri i grave që kryejnë mamografinë nuk është i mjaftueshëm.

Sadiku: Numri i grave që bëjnë mamografinë është i vogël

“Kemi filluar t'i subvencionojmë të gjitha gratë që kanë kancer të gjirit, deri në 250 euro është subvencioni që japim, dhe deri më tani kemi dhënë 160 subvencione, kemi krijuar mamografinë, dhe qëllimi ynë është që t’i vetëdijesojmë ato që të vijojnë të bëjnë mamografinë në Prishtinë. Për arsye se sot, numri i mamografëve që bëhet është ende jo i dëshirueshëm për neve, vetëm për të përmendur shifrat. Vitin e kaluar në kemi pasur 1720 mamografi të realizuara në Prishtinë, prej të cilave mesatarja ka rënë në 141 mamografi në muaj, vetëm në tetor ka qenë 400, që tregon rolin që ka vetëdijesimi për t’ia përkujtuar njerëzve që ta bëjnë mamografinë dhe t'i tregojmë që kanceri i gjirit vazhdon të jetë sëmundje problematike por është e shërueshme. Ne kemi sot fatbardhësisht gra, që e kanë kaluar këtë sëmundje dhe janë pjesë e këtyre aktiviteteve”, tha Sadiku.

Ndërkaq, edhe organizatorja e klubit sportiv “Gërmia 555”, Ardita Rapunca u shpreh se qëllimi i kësaj fushate është që jo vetëm më 1 tetor të bëhen aktivitete për ndërgjegjësimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.

Rapunca: T’i vetëdijësojmë qytetarët për parandalimin e kancerit të gjirit

"Qëllimi është për ngritje të vetëdijesimit si dhe ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit. Faktikisht, ‘Race for the Cure’ mbahet më 1 tetor, por ne kemi dashur të tregojmë që jo gjithmonë vetëm me 1 tetor duhet mbështetur këtë fushatë. Kështu që me një ditë të zakonshme të vrapit për neve, e kemi organizuar ‘Race for the Cure’, një vrap prej katër kilometrash së bashku me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, kështu që ky është qëllimi”, tha Rapunca.

Ditë më parë, Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës mbajti një ligjëratë ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit edhe në Xhaminë e Madhe në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat