Gara: Në lokacionin e Matiqanit do të rikthehemi përsëri, u gjet vetëm një trup

Kosova

Gara: Në lokacionin e Matiqanit do të rikthehemi përsëri, u gjet vetëm një trup

Më: 25 maj 2023 Në ora: 00:27
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritare për Personat e Pagjetur ka thënë se në lokacionin e Matiqanit do të rikthehen përsëri për gërmime, pasi ditë më parë është gjetur vetëm një trup, ku dyshohet edhe për një trup tjetër.

Ai në emisionin “Info Nata” ka deklaruar së familjarët janë duke bashkëpunuar me institucionet duke dhënë informacione se në cilën pjesë dyshohet së mund të jenë të groposur viktimat e luftës.

“Në rastin e lokacionit në Matiqan ne do të rikthemi sërish. Në momentin që do të përcaktohet identiteti viktimës që është zhvarrosur atëherë do të jemi edhe në komunikim edhe me familjarët. Disa nga familjet kanë dhënë të gjithë informacionin që ata kanë, nga ajo që kanë  arritur që ata kujtojnë nga ajo periudhë kohore, në kuptim të lehtësimit se në cilën pjesë kanë qenë të groposura pjesët mortore”, tha ai.

Gara tha se janë duke gërmuar në 7 pika dhe sipas tij, duhet bëhet rivlerësimi mbi koordinatat.

“Me ekspertët e mjekësisë ligjore dhe ata të EULEX-it është e nevojshme që të bëhen rivlerësimet mbi koordinatat, sepse në këtë lokacion kanë qenë të shënuara 7 pika, ku po flasim për 8 viktima, ndërsa njëra nga rastet  është përjashtuar  nga ky kërkim, ku potencova rastin e viti 2019 ka pasur identifikim përmes analizave të AND-së( në këtë rast nuk ka pasur dilema). Jemi në 7 pika dhe më shumë kujdes po e përdor fjalën, vetëm në njërën kemi pasur rezultat pozitive në kuptim të gjetjes së mbetjes mortore të një viktime të luftës”.

Ndryshe, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) bashkë me ato të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës të hënën e 22 majit kanë gjetur mbetje mortore në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

Mbi 1600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat