Dhjetëra të rinj nga Fusha Kosova certifikohen për dizajn grafik

Kosova

Dhjetëra të rinj nga Fusha Kosova certifikohen për dizajn grafik

Më: 13 prill 2023 Në ora: 12:08

Janë certifikuar 30 të rinj në fushën e dizajnit grafik, IT dhe programimit në kuadër të trajnimit “Get IT, Sell IT”, në Fushë Kosovë. Pjesëmarrësit kanë qenë nga komunitete të ndryshme dhe pesë nga ta do të mund të vazhdojnë punën praktike.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e “NGO Education Code”, Mimoza Krasniqi, e cila ka theksuar se qëllimi i projektit ka qenë aftësimi i të rinjve në këto fusha.

“Qëllimi i projektit ka qenë të trajnohen për grafik-dizajn për IT dhe programim, ka qenë një numër jashtëzakonisht i madh, numri i nxënësve ka qenë 30 gjatë tre muajve të trajnimit. Fatmirësisht kemi pas diversitet të të gjitha komuniteteve, ka pas për të rinj me aftësi të kufizuara, të rinj nga komuniteti ashkali, egjiptian, shqiptar, ka pas dhe serbë. Objektiva e projektit i ka tejkaluar pritshmëritë qe organizata i ka pas, një rezultat shumë i rëndësishëm është se 5 prej këtyre 30 organizata Education Code ka me i punësua për punë praktike e nevoja për këtë lloj lëmie, është shumë e nevojshme dhe besoj që këta kanë me vazhdua punën”, ta thënë Krasniqi.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë-Kosovës Besnik Shala ka thënë se ky projekt ka një rëndësi të madhe meqë ofron mundësitë për punësimin e të rinjve në të ardhmen.

“Është e rëndësishme që ju sot do ta merrni një certifikatë e cila do t’u duhet për të ardhmen, mirëpo është e rëndësishme dhe ne jemi të lumtur si drejtori që kem arritur nëpërmes projekteve deri tek ju duke iu falënderuar gjithë akterëve, ne si drejtori dhe si komunë dhe kryetari iu premtojmë se duke e ditur se çfarë rinie të shëndoshë kemi në Fushë Kosovë dhe numër shumë të madh, do të punojmë ditë e natë për ju që t’ua lehtësojmë jetën dhe të ju aftësojmë sa më shumë që të jeni të gatshëm për të ardhmen”, ka thënë ai.

Ndërsa, menaxherja e projektit “ReLOaD” nga UNDP, Vlora Elshani ka thënë se përmes këtyre trajnimeve po krijohen mjedise gjithëpërfshirëse për punësim të qasshëm për të gjithë të rinjtë.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për tu bashkuar dhe nderuar përpjekjet, përkushtimin dhe angazhimin që përfituesit tanë e kanë treguar gjatë gjithë këtij projekti. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që personat me aftësi të kufizuara dhe ata të komuniteteve jo shumicë përballen me shumë sfida dhe barriera të cilat janë mjaftë të konsiderueshme sidomos në gjetjen e punësimit. Iniciativat që nxisin punësimin gjithëpërfshirës në Kosovë dhe vendimmarrje në këtë projekt janë mjaftë thelbësore për neve si UNPD. Sot shprehim këtë angazhim tonin për të përkrahur iniciativa të tilla të cilat krijojnë një mjedis gjithëpërfshirës dhe njëherit krijojnë edhe punësim të qasshëm për gjithë të rinjtë”, ka thënë ajo.

Ndërsa maturantja e gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në Fushë-Kosovë, Blearta Krasniqi ka thënë se pret që kjo certifikatë t’i hap dyert për punësim në të ardhmen.

“Besoj që ka qenë shumë efikas edhe për neve, edhe unë vet e kam zgjedhur këtë drejtim edhe në vazhdim për këtë arsye i falënderoj të gjithë dhe besoj që do të kemi shumë sukses, ka qenë trajnim shumë i mirë dhe besoj që do të na ndihmojë edhe për të ardhmen. Besoj se do të na ndihmojë për të ardhmen sa i përket edhe punësimit dhe kjo certifikatë ka me qenë shumë e vlefshme për të ardhmen tonë, ka thënë ajo.

Pjesëmarrësit e projektit "Get IT,Sell IT", me vet-iniciativë krijuan "ID Brand Identity” për shkollën “Hivzi Sylejmani" në Fushë Kosovë, ku edhe është mbajtur edhe trajnimi 3 mujor.

Ky projekt është mundësuar nga “NGO Education Code” dhe Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor “ReLOaD2”, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) si dhe mbështetur edhe nga Komuna e Fushë-Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat