​Latifi gjatë homazheve: Në janarin e vitit 1990, forcat pushtuese serbe iu frikësuan lumit të madh të demonstruesve

Kosova

​Latifi gjatë homazheve: Në janarin e vitit 1990, forcat pushtuese serbe iu frikësuan lumit të madh të demonstruesve

Më: 27 janar 2023 Në ora: 12:07
Smajl Latifi

Në 33 vjetorin e rënies së dëshmorëve Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, Komuna e Rahovecit ka organizuar homazhe pranë varrezave të tyre.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se në janarin e vitit 1990, forcat pushtuese serbe iu frikësuan lumit të madh të demonstruesve që po marshonte drejt Rahovecit.

Latifi: Edhe pse kanë kaluar 33 vjet, jehona e kësaj beteje vazhdon të mbetet udhërrëfyes për ata që dëshirojnë kombin tonë

"Si pasojë e një prite të organizuar nga forcat kriminale serbe, njësitë speciale të Serbisë që vepruan me lotsjellës dhe armë zjarri kundër demonstruesve që krejtësisht ishin paqësor, por që ishin të mbrojtur me ide atdhetare dhe të frymëzuar me idealet e filozofinë e pikëpamjet e profesorit Ukshin Hoti. Edhe pse kanë kaluar 33 vjet, jehona e kësaj beteje paqësore, e cila u përgjak nga forcat policore serbe, e vazhdon të mbetet udhërrëfyes për ata që dëshirojnë kombin tonë edhe ta zhvillojnë edhe ta forcojnë lirinë e tij edhe ta përparojnë. Ngjarjet e vitit 1990 janë rezultat e i përpjekjeve të vazhdueshme të betejave të përgjakshme të forcave tona atdhetare, legale e të fshehura që kurrë nuk e ndalin hapin, e as s’u ndalën së rrugëtuari drejt qëllimit madhor, lirisë dhe bashkimit", ka thënë Latifi.

Edhe pas vrasjes së katër heronjve dhe plagosjes të dhjetëra të tjerëve, Latifi tha se shqiptarët nuk e ndalën rrugëtimin për liri.

Latifi: Ju jemi mirënjohës për gjakun që kanë dhënë nga gjaku i vet, për lirinë e këtij trualli

"Jehona dhe frymëzimi i kësaj demonstrate, gjaku i derdhur për liri në këtë demonstratë do të jetë frymëzim edhe për brezat që po rriteshin e kaliteshin për t’ u përfshirë më vonë në luftën e armatosur të UÇK-së. Ju jemi mirënjohës për gjakun që kanë dhënë nga gjaku i vet, për lirinë e këtij trualli. Ndërkaq, luftëtarëve dhe pjesëmarrësve të asaj demonstrate ju dëshirojmë shëndet në përmbushjen e misionit dhe idealit të shtrenjtë për çka u flijuan këta heronjtë në këtë lakun e Brestovcit nga prita e organizuar prej forcave kriminale serbe", ka shtuar Latifi.

Mëngjesin e sotëm, homazhet nisën në Celinë e Nagavc, më pas në fshatin Krushë e Madhe, Hoçë e Vogël e Brestoc. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat