Kuqi: Jemi të gatshëm kurdo ta takojmë Kurtin

Kosova

Kuqi: Jemi të gatshëm kurdo ta takojmë Kurtin

Më: 24 tetor 2012 Në ora: 00:42

Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë të takohen me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të bisedojnë për çdo shqetësim të tyre.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë edhe ai edhe kryeministri Hashim Thaçi janë të gatshëm për takim me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Kudo, nëse kanë gatishmëri të takohen shkojmë edhe në selinë e tyre. Ne nuk jemi ata që për hirë të Serbisë të konfrontohemi mes vete. Po u bëj ftesë publike të takohemi kurdo dhe kudo që duan”, ka thënë Kuçi në Interaktiv në KTV.

Ai ka thënë se është shumë e pahijshme, që bota ta sheh një skenë të tillë në rrugët e Prishtinës për një veprim që ka të bëjë me relacionin Kosova me Serbinë. “Veprimi i dialogut është autorizim i Kuvendit të Kosovës. Shumë shpesh do të ketë vendime që nuk na pëlqejnë, por i merr shumica”, është shprehur ai.

Kuçi ka folur edhe për protestën e fundit dhe asaj të disa ditëve më parë, kur deputetët nuk u lejuan të hyjnë në qeveri. “Të gjithë deputetët e Vetëvendosjes sa herë të duan mund të hyjnë në qeveri. Por ligji duhet të sfidohet me ligj. Logjika e sjelljes, në raste të tilla nuk respektohet ligji. Që nesër para orës 8, kushdo nga deputetët e Vetëvendosjes mund të hyjnë në Qeveri”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Ndër të tjera, ai ka thënë se kryeministri Thaçi i ka dërguar letër Kuvendit të hënën dhe ka shprehur gatishmëri të informojë për takimn me Daçiqin. Ai tha se ky ka qenë takim publik ku ka qenë edhe baronesha Ashton dhe se atje nuk ka pasur asnjë temë që e dëmtojnë vendin.

Procesin e dialogimit, Kuçi e ka cilësuar si më të përgatiturin në histori, teksa ka thënë se Kosova e ka platformën e saj, të shkruar, ndërsa i është referuar Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisarit. “Ka platformë të shkruar, por është gjithnjë në kuadër të asaj që duhet të harmonizohet me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat