Buxhovi, PDK-në e pret fat më i zi se LDK-në

Kosova

Buxhovi, PDK-në e pret fat më i zi se LDK-në

Më: 7 tetor 2012 Në ora: 10:25

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të mbajë një kuvend të ri zgjedhor thotë Jusuf Buxhovi në një intervistë, njëri nga njerëzit kryesor në themelimin e LDK-së Buxhovi thotë se skena politike është kapluar nga klanet ekonomike dhe mafioze, dhe në këtë kontekst ai parasheh një fat më të zi për PDK-se sa ai me të cilin është ndeshur LDK-ja. “Nuk kam kurrfarë ambiciesh të merrem me politikë, ngaqë jam krijues i pavarur dhe shkencëtar, të cilit i duhet liria e veprimit dhe e të menduarit, nga të cilat politika të privon. Këtë e kam thënë shumë herë dhe e kam përsëritur shumë herë. Aq më pak që të jem kryetar i LDK-së, sepse unë jam larguar prej politikës në kohën kur unë e kam konsideruar se është e domosdoshme në vitin 1993, kur është mbyllur një proces shumë i rëndësishëm i konstituimit të LDK-së, pas Kuvendit të Parë që është mbajtur në maj të vitit 1991. Për mua, ky ka qenë largim i përhershëm nga politika. Në politikë nuk kam hyrë se kam pasur ambicie që të jem politikan. Përkundrazi, në politikë jam futur si intelektual, sepse kanë qenë rrethanat e tilla, ku kanë kërkuar kyçjen e intelektualëve në politikë”, thotë Buxhovi
Ai po ashtu thotë se nuk ka kurrfarë ambicie për të udhëhequr LDK-në, por ai thotë se vendi ka nevojë për ndryshime të thella në qeverisje.
I pyetur se nga doli ideja që ai të bëhej kryetar i LDK-së pas një dorëheqje të Isa Mustafës, Buxhovi këto i quan spekulime shumë të ulëta, që bëhen nga qarqe të caktuara. “Ndoshta ishte spekulim i disa qarqeve brenda LDK-së, por mund të jenë në përgjithësi në kuadër të kësaj skene politike në Kosovë që është jostabile, që është para degradimit të plotë politik, moral dhe intelektual”, thotë ai. Buxhovi thotë se në vend se të merren me përgjegjësitë aktuale, siç janë bisedimet me Serbinë, situata që e ka sjellë Pakoja e Ahtisaarit, që faktikisht Kosovën e sjell para një gjendjeje shumë të pavolitshme, partitë merren me gjëra të tjera. “Prapë po e them, Jusuf Buxhovi s’ka pasur dhe nuk ka ambicie kurrë të merret me politikë, aq më pak të jem lider i LDK-së. Edhe pse pas vdekjes së Rugovës, kam pasur vazhdimisht oferta, edhe prej faktorit ndërkombëtar, por kam oferta edhe nga baza e LDK-së. Për çdo ditë marr kërkesa, letra të sinqerta nga njerëzit në bazë, që janë shumë të dëshpëruar me gjendjen jo vetëm në parti”, thotë ai.

I pyetur për përfshirjen ose jo në LDK, Buxhovi thotë se ka shumë kërkesa, “jo vetëm tash, por prej se jam kthyer prej Gjermanisë”. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat