​Disa vatra zjarri edhe në ditën e shtatë në Kosovë

Kosova

​Disa vatra zjarri edhe në ditën e shtatë në Kosovë

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme me të gjithë mekanizmat e saj, tash e shtatë ditë po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës.

Sipas një njoftimi të MPB-së, në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së.

“Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i. Me këtë rast gjatë këtyre ditëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar disa vatra të zjarrit, në veçanti atë të Shtupeqit, për të parë nga afër zhvillimet në terren dhe për të ofruar mbështetje për forcat të cilat po merren me luftimin e zjarrit tash e disa ditë. Si rezultat i përkushtimit të drejtpërdrejtë në menaxhimin sa më të mirë të situatës së zjarreve në terren edhe anëtarët e kabinetit të MPB-së, kanë vizituar disa vatra zjarri si ato në Shtupeq, Mushtisht, Sallagrazhdë, si dhe në disa lokacione tjera”, thuhet në njofitm.

Ministria e Punëve të Brendshme iu ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes që të mos jenë shkaktarë të ndezjeve të zjarreve.

“Ministria e Punëve të Brendshme është falënderuese për ekipet e zjarrfikësve që janë duke bërë maksimumin dhe gjitha ekipet tjera mbështetëse që kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat