Skënderbeu-Tirana, koha për “hakmarrje” në kampin bardheblu!

Futboll

Skënderbeu-Tirana, koha për “hakmarrje” në kampin bardheblu!

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 16:49
Foto nga ndeshja e kaluar

Përballja– Një mungesë e gjatë e Tiranës në Superligë, një sezon nuk është pak për ekipin me më shumë tituj në Shqipëri. Rikthimi nisi me vështirësi, ndërsa vetëm pas javës së tretë, bardheblutë u zgjuan nga “ëndërra” e keqe e Kategorisë së Parë, dhe panë se tashmë janë elitar. Por nëse Luftëtari nuk ishte kundërshtari më i mirë për të provuar forcat, kalendari ka rezervuar një përballje që vlen shumë për të parë Tiranën e vërtetë. Është Skënderbeu, kampioni në fuqi i Superligës, skuadra për t`u mundur, tashmë e konfirmuar pas javës së kaluar.

Ze Maria nuk kënaqet me barazim, këtë e pohoi në daljen para gazetarëve, ndërsa nga ana tjetër Orges Shehi ka gjetur ekuilibrat mes lojtarëve të rinj dhe veteranëve, për të marrë më të mirën në këtë sfidë të re për atë. Të dyja ekipet do të zbresin të shtunën në stadiumin e Korçës, aty ku fatkeqsisht do të ketë heshtje. Nuk ka nevojë të flitet për motivim, pasi në të dy kampet energjitë janë maksimale. Gjatë javës trajnerët kanë punuar shumë në aspektin tekniko-taktik, ndërsa mungesat do të jenë minimale, edhe pse diku të rëndësishme. Gjithsesi stoli është gati dhe lufta për vendin e titullarit, nuk zbeh asnjëherë dëshirën për të dhënë maksimumin.

Statistika-Hera e fundit që Tirana dhe Skënderbeu janë përballur mes tyre, i përket 31 majit të 2017, në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në atë kohë, Tirana, edhe pse kishte rënë nga kategoria në fund të sezonit të rregullt të Superligës, luante finalen e kupës ndaj korçarëve, duke e fituar ndeshjen në kohën shtesë. Ndërkohë më herët të dyja skuadrat ishin përballur edhe katër herë mes tyre në Superligë në sezonin 2016-2017. Në ndeshjen e parë të luajtur më 16 tetor 2016, Tirana fitonte 2-1 ndaj Skënderbeut.

Në përballjen e dytë, të luajtur më 14 dhjetor të po atij viti, ishte Skënderbeu që fitonte ndaj bardhebluve me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Salihi dhe Latifi. Takimi i tretë për atë sezon në Superligë do të luhej më 10 mars 2017 dhe do të përfundonte në barazim 2-2, ndërsa më 15 maj të 2017 Skënderbeu i jep goditjen e fundit Tiranës, duke e mundur 1-0, me skuadrën bardheblu që zbriste zyrtarisht nga kategoria, për herë të parë në historinë e saj si klub. Ndaj mes Tiranës dhe Skënderbeut ka një “luftë” edhe për hakmarrje,  me ekipin bardheblu që do të kërkojë fitoren për të vendosur në vend nderin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat