Zeka: Feronikeli do të startojë fuqishëm drejt titullit

Futboll

Zeka: Feronikeli do të startojë fuqishëm drejt titullit

Nga: Kemajl Goca Më: 17 gusht 2018 Në ora: 19:27
Mevlan Zeka

Pas më shumë se tre muaj pushimi nisin garat në elitën e futbollit të Kosovës! Sfida mes Feronikelit nga Drenasi dhe Trepçës ’89 nga Mitrovica, hap perden e edicionit të ri në IPKO Superligë. Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” nesër (16.45) pritet atmosferë e mirë sportive dhe një numër i madh i shikuesve, për të parë derbin e javës së parë, mes dy skuadrave që pretendojnë titullin e kampionit. Trepça ‘89 udhëton me synime të qarta, që të kthehet me pikë. Në fakt, është edhe derbi i trajnerëve nga Shqipëria, mes Sulejman Starovës që drejton Feronikelin dhe atij të Trepçës ’89, Gugash Magani.

Cili do të jetë më i suksesshëm apo ballëlart, gjithçka do të shihet pas 90 minutave. Sulmuesi i Feronikelit, Mevlan Zeka, beson se të tria pikët do të mbesin në Drenas. Futbollisti mendon se janë mirë të përgatitur dhe kërkojnë të luftojnë për titullin e kampionit. Ai është optimist se do të janë prej skuadrave më të forta, duke pasur për bazë përforcimet që kanë bërë gjatë afatit kalimtar. “Po fillon edicioni ri dhe rrugëtimi ynë, tash me objektivat tona janë të qarta dhe qe nga nesër Feronikeli do të startojë fuqishëm drejt titullit të kampionit”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Zeka.

A mendoni se Feronikeli është më i fortë se në edicionin e kaluar? “Po! Mendoj se skuadra jonë është më e mobilizuar se vitin e kaluar duke parë lojtarët cilësor dhe konkurrencën e shëndosh në klub”, përgjigjet sulmuesi. Zeka parashikon luftë interesant për kreun e tabelës dhe ka veçuar edhe disa skuadra:

“Të gjitha skuadrat kanë bërë përforcime, kampionati do të jetë shumë i fortë, të shohim në fund se kush do ta thotë fjalën e fundit: Feronikeli, Prishtina, Drita apo Llapi”. Zeka është prej sulmuesve më të mirë në vendin tonë dhe mëton të shënojë sa më shumë gola, që ta ndihmojë skuadrën e tij drejt objektivave. “Unë gjithmonë e kam jap maksimumin, ku kam luajtur, posaçërisht në Feronikel, ku fitova titullin! Jam kthyer që të shënoj gola dhe që ta kthejmë titullin dhe Kupën në Drenas”, shpreh optimizmin futbollisti. Sulmuesi në asnjë formë nuk e ndjen presionin e Trepçës ’89, por beson se do të ia dalin:

“Do të jetë ndeshje e fortë në hapje, ku Trepça ‘89 ka skuadër shumë të mirë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë ndeshje dhe pritet të japim maksimumin, që pikët të mbesin në Drenas”, ka thënë Zeka. Më tutje shprehet se është kënaqësi të punosh me trajnerin Starova:  “Ne Duhet t’i përshtatemi trajnerit sepse ka një eksperiencë shumë të madhe, t’i zbatojmë detyrat e tij gjatë lojës. E jona është të luajmë, të kërkojmë rezultate të mira dhe t’i kënaqim tifozët tanë”.

IPKO Superliga, java 1

E shtunë

Feronikeli - Trepça ’89                16.45

E diel

Drita-KEK-u   16.45

Liria-Ballkani 16.45

Flamurtari-Ferizaj 16.45

Llapi-Drenica 16.45

E hënë

Prishtina-Gjilani    19.45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat