Gjashtë futbollistë godasin Trepçën ’89: Turpi nuk paska fund!

Futboll

Gjashtë futbollistë godasin Trepçën ’89: Turpi nuk paska fund!

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 16:11
Ilustrim

Ne gjashtë ish lojtarët e Trepçës '89: Arbër Potoku, Lapidar Lladrovci, Fiton Hajdari, Përparim Islami, Bledar Hajdini dhe Argjend Mustafa, jemi thellësisht të indinjuar nga kryesia dhe posaçërisht kryetari Abedin Zeka, i cili nuk ka respektuar mundin dhe djersën e derdhur, duke na mohuar të drejtën tonë (kontraktuale), duke mos na paguar 3 pagat e fundit të kontratës (prill, maj dhe qershor). Për këtë shkak kemi vendosur të reflektojmë, mjaftë më!

Ne, që me angazhimin tonë kontribuam në suksesin e vitit të kaluar, duke e shpallur Trepçën '89 kampion dhe duke i dhënë të drejtën të luajë në Ligën e Kampionëve, si ekipi i parë historik, me ç' rast i kemi siguruar të ardhura të majme (rreth 500 mijë euro nga FFK dhe UEFA) nuk e meritojmë këtë trajtim. Paramendojeni sportdashës të dashur, jemi bërë kampion si ekipi me pagat ndër më të ulëtat nga ekipet pretendente, duke mos e pasur as si prioritet titullin, në fund nuk na është dhënë asnjë cent si shpërblim! Në rregull, shpërblimin nuk e kemi pasur të cekur në kontratë, por pagat?!

Kur kemi komunikuar me z. Abedin Zeka dhe e kemi pyetur për pagat na ka dhënë këto arsye: paga e muajit prill nuk do të na paguhet për shkak se e kemi humbur ndeshjen kampionale ndaj Gjilanit, paga e muajit maj me arsyen se nuk i kemi vazhduar stërvitjet deri në fund të qershorit (kurse trajneri na ka dërguar në pushim në fund te muajit maj), ndërsa pagën e muajit qershor jemi dënuar për shkak që nuk i kemi vazhduar kontratat edhe për një vit me '89-shin. Ne kemi bërë ankesë në FFK para disa javëve dhe po presim përgjigjen nga komisioni i cili pritet të mblidhet për rastin tonë.

Presim seriozitet dhe mbrojtje nga organet e FFK-së të cilët kanë përgjegjësi të mbrojnë të drejtat e lojtarëve si shtëpia kryesore e futbollit në vend. Nëse nuk ka diçka konkrete nga FFK-ja do t'i drejtohemi edhe UEFA-së dhe pasi t'i kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë, si opsion të fundit do t'i drejtohemi Gjykatës ku i kemi mbledhur të gjitha faktet e dokumentet e nevojshme për padi. Trepça '89 nuk ka mundësi të licencohet më për gara europiane pa u kryer obligimet ndaj nesh, nëse kjo ndodh do të përbente shkelje të rëndë të statuteve e rregulloreve të UEFA-së! Ka kaluar koha kur lojtarët janë shkelur dhe janë trajtuar si skllevër, shpresojmë që rasti ynë të jetë i fundit i kësaj natyrë dhe klubet të mbushen mend e mos të përbuzin mundin dhe djersën e lojtareve.

Me respekt, Arbër Potoku, Lapidar Lladrovci, Fiton Hajdari, Përparim Islami, Bledar Hajdini dhe Argjend Mustafa!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat