Kjo Shkëndijë e Tetovës e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani duket e gatshme për të thyer limitet e deritashme në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
Triumfi 0:3 ndaj Renovës ishte i 28-i në këtë sezon, skuadra ka 32 pikë më shumë se ekipi i vendit të dytë dhe me 88-të të tilla xhiron e fundit pritet të kalojë kufirin e 90-të pikëve brenda një sezoni. Kuqezinjtë një xhiro para fundit kanë shënuar 97-të gola dhe vetëm tre realizime i ndajnë në shifrën e 100 golave në kuadër të një kampanje.
Nuk ka si mos të jetë i kënaqur Osmani që përgatitet të dielën të ngrejë trofeun e dytë si kampion i Maqedonisë (pas atij në vitin 2011 po ashtu me Shkëndijën), ndërsa më 23 maj synon edhe Kupën përballë Pelisterit. “Sigurisht se jam i kënaqur me fitoren, me lojën bindëse dhe dua t’i përgëzoj futbollistët për paraqitjen dhe rezultatin”, u shpreh Qatip Osmani, duke paralajmëruar angazhim për sukses edhe në dy takimet e fundit zyrtare të këtij sezoni.