Gjeraj: Kur të lëshohen të këqijat, çelja derën!

Futboll

Gjeraj: Kur të lëshohen të këqijat, çelja derën!

Nga: Kemajl Goca Më: 10 maj 2018 Në ora: 10:58
Gjeraj: Kur të lëshohen të këqijat, çelja derën!

Besa nga Peja me qetësi pret ndeshjen e fundit në elitën e futbollit dhe t’i mbledhë valixhet për një rang më poshtë. Ndeshjen me Vllazninë e Pozhoranit e luan me 13 maj në Gjilan dhe pastaj në javën e fundit (33-të) në Pejë kundër Llapit dhe do të përshëndeten nga elita. Janë ditët më të vështira për një skuadër me traditë e cila asnjëherë nuk kishte rënë nga liga, por nuk i shkuan gjërat mirë që nga fillimi i kampionatit dhe kjo solli edhe pasoja të mëdha. Besa është në pozitën e parafundit (i 11-ti) me 19 pikë. 

Futbollisti me përvojë Robert Gjeraj nuk ka se si ta shpjegoj largimin e skuadrës së tij nga elita, por beson se Besa ka forcë të riorganizohet dhe shumë shpejt të kthehet në shoqërinë e më të mirëve. Sipas tij, Besa nuk e ka merituar të bie nga liga, por ky është futbolli dhe ndodhin këto gjëra. “Duke marrë parasysh që kemi rënë nga elita, ka rënë motivi dhe është një heshtje totale në ekip, veçmas duke pasur parasysh sukseset (titujt) që ka pasur pas luftës ky kolektiv dhe mossuksesi tash është tragjedi e madhe. Ka ekipe më të mëdha se Besa që kanë rënë nga liga, por klubi ynë se ka merituar.

Besoj se Besa shpejt do të kthehet në elitë.  E dinë opinionin sportiv se me cilat probleme u ballafaqua Besa nga fillimi i edicionit, një kohë kanë luajtur me juniorë dhe siç kam lexuar edhe përmes gazetave, disa lojtarë me përvojë nuk u paraqitën nëntë javë dhe nuk më takon mua të futen pse dhe për çka. Kështu që është prishur organika dhe kjo ka ndikuar të jemi ku jemi sot”, tha Gjeraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

“Ngarkesa e ekipit, me gjithë ato probleme të grumbulluara dhe e ka pasur të vështirë të marrë veten, kështu që nuk jemi pjesë e elitës. Ekipet e mëdha që bien edhe ngritën prapë, ai që rrëzohet edhe çohet prapë, kështu ka thënë edhe një shkrimtar i madh. Unë mendoj se edhe pse kemi rënë nga elita, e shoh një optimizëm se duhet të organizohem dhe Besa do të rimëkëmbet. Nuk jemi vetëm ne që kemi rënë, ka ra edhe Tirana dhe u rikthye në elitën e futbollit shqiptar”, tha Gjeraj.

Tifozët pejan janë të zhgënjyer. “Vërehet te tifozët pejanë se janë të zhgënjyer edhe pse nuk pasur shumë tifoz në stadium shkaku i rezultateve”, theksoi ai. Gjeraj ende nuk e di të ardhmen e tij: “Nuk di ku do të mbetem, por besoj se do të luajë futboll në Besë a diku tjetër, varet krejt nga Besa sa janë të kënaqur me mu. Vetëm një ndeshje kam munguar dhe e ndjej obligim t’iu ndihmoj. Ajo ekip që ka nevojë për mu, unë do t’i ndihmoj”.

Gjeraj kujton humbjen e rëndë nga Flamurtari me rezultat 4:0 dhe kjo edhe e fundosi. “Besoj se presioni i madh psikik ndikoi me Flamurtarin sidomos në minutat e parë që morëm gol dhe edhe në pjesën e dytë pësuam gol dhe kur je në disavantazh me 0:3  vështirë është në Kosovë të përmbyset ai rezultat.  Presioni e bëri të veten dhe gjithçka shkonte keq, u mundua edhe Haxhi Zeka, por nuk shkonte. Kur ecë keq, ecë keq apo të këqijave çelja derën. Ndeshja më e keqe që prej se kam shkuar në Besë ka qenë me Flamurtarin sepse nuk shkonte asgjë. Ende nuk dimë më shpjeguar se si ka ndodhur si vendas me humbë 0:4, sepse të humbësh me 0:1 ose 0:2 është diçka tjetër”, tha Gjeraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat