Valverde: Loja jonë sulmuese kalon nëpër këmbët e Messit

Futboll

Valverde: Loja jonë sulmuese kalon nëpër këmbët e Messit

Më: 15 mars 2018 Në ora: 18:12
Messi

Barcelona, Real Madridi, Sevilla, Bayern Munihu, Manchester City, Liverpooli, Juventusi dhe Roma, janë kualifikuar në çerekfinalen e Champions League. Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, është i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij dhe me fitoren e thellë me rezultat 3:0 ndaj Chelseat. Sfida e parë në Londër kishte përfunduar me 1:1 dhe me rezultat të përgjithshëm 4:1 katalunasit u kualifikuan.

“Kundërshtari ishte një ekip i madh, që ka lojtarë të jashtëzakonshëm, ndaj ne e dinim se do të ishte shumë e vështirë. Pavarësisht se fituam 3:0, kemi luajtur një nga lojërat më të vështira të sezonit. Ashtu si në ndeshjen e parë, dominimi ishte i yni. Kemi luajtur mirë, por ju mund të shihni se ata ishin shumë të rrezikshëm, të paktën kemi vuajtur deri në fund. Ata e detyruan Dembele të punonte shumë dhe ne, gjithashtu, kishim Sergi Roberto si një kartë. Ai, madje, shmangi një mundësi të qartë shënimi. Duke pasur Messin në ekip, është një luks, është aq vendimtar në çdo lojë, sa mund të krijoni rrezik kurdo. Loja jonë sulmuese kalon nëpër këmbët e tij.

Çdo veprim e bën atë më të mirë. Andre Gomes? Reagimi i publikut ka qenë shumë pozitiv, lojtari merr hapa përpara dhe unë mendoj se mund të na ndihmojë. Është shumë i fortë dhe në lojëra si kjo vendos ekuilibri në mesfushë. Ne përpiqemi të përfitojmë prej tij dhe ta ndihmojmë atë. E ardhmja e Iniestas? Unë nuk e di nëse do të vazhdojë apo jo, kjo është një gjë shumë personale. Ai duhet të vendosë. Çdo gjë që të bëjë, ajo do të jetë e mirë. Tani është me ne dhe nuk mendon për të ardhmen, vetëm të tashmen. Unë e shoh atë shumë mirë, në çdo mënyrë. Një Barca pa Iniestan?

Ne nuk shikojmë shumë larg, nuk mendojmë për Barçën pa të, sepse tani është me ne. Messi shfaqet në momente kyçe? Kjo shkon me personalitetin e tij, me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj ekipit. Ai e di se duhet të shfaqet në kohë të caktuara. Pique dhe shqetësimet e tij? Më pyesin shumë për të kohët e fundit, por ai është mirë. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, ai mund të luajë. Rezultati joproporcional? Duhet ta pranoj se Chelsea ka qenë një ekip i shkëlqyeshëm. Secili e sheh nga këndvështrimi i tij. Ne shënuam gola në pjesën e parë, edhe ata mund të kishin bërë diçka”, tha Valverde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat