Osmani: Me Shkëndijen synojmë të fitojmë dy trofetë

Futboll

Osmani: Me Shkëndijen synojmë të fitojmë dy trofetë

Nga: Kemajl Goca Më: 9 mars 2018 Në ora: 18:58
Qatip Osmani

Shkëndija nga Tetova pa asnjë problem sundon në Kampionatin e  Maqedonisë dhe në anën tjetër është favorite e madhe për ta fituar edhe trofeun e Kupës. Klubi kuqezi me fitoren e fundit me rezultat bindës 4:0 ndaj kampionit në fuqi, Vardari, të cilën e rrëzuan nga garat e Kupës,  nga tifozët “Ballistët” u festua ky kualifikim në mënyrë më të mirë jo vetëm në qytetin e Tetovës. Tetovarët kryesojnë me 56 pikë dhe kanë 14 më shumë se Vardari në vend të dytë, njëkohësisht janë në gjysmëfinale të Kupës. 

“Bota sot”: Shkëndija në gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë, a është favorite për ta fituar trofeun?

Qatip Osmani: Sigurisht se po. Prej fillimit të këtij sezoni ne publikisht e kemi thënë se synojmë të fitojmë dy trofetë, kampionatin dhe Kupën dhe jemi të kënaqur që deri tani jemi brenda të dy objektivave. Roli i favoritit në Kupë sigurisht përforcohet pasi nxorëm jashtë kësaj gare rivalin direkt, Vardarin.

“Bota sot”: Skuadra e juaj e shkatërroi me rezultat 4:0 kampionin në fuqi, Vardarin, a e kishit pritur këtë triumf bindës dhe a u dëshmua se Shkëndija është një hap para kësaj skuadre?

Qatip Osmani: Po në fakt ne gjithë kohën jemi duke dëshmuar se ky është vit i Shkëndijës dhe vazhdimisht kemi qenë në nivel mbi tjerët. Ecuria në kampionat, por edhe në Kupën e Maqedonisë janë tregues i dominimit tonë. Edhe në përballjet direkte me Vardarin kemi qenë superior këtë sezon në të gjitha ndeshjet dhe vetëm fati sportiv dhe mosrealizimi i rasteve nga ana jonë ka bërë që rezultatet të jenë ato që ishin. Unë pas barazimit 1:1 në Shkup në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës me Vardarin thash se më vjen keq që nuk vulosën kualifikimin që në atë takim dhe nuk mund të ndodhte tre herë rresht ne të humbnim aq raste para portës kundërshtare. Kështu në një mënyrë ne prisnim të jemi në nivel dhe të dëshmojmë se kësaj radhe jemi para tjerëve.

“Bota sot”: Shkëndija udhëheq me 56 pikë, 14 më shumë se Vardari, pothuajse titulli është i siguruar, por kjo epërsi u jep qetësi tani për garat e Kupës?

Qatip Osmani: Janë dy gara të ndryshme me qëllim të njëjtë për ne, fitimin e trofeut. Është fakt që kemi epërsi të bukur në krye të renditjes, e cila natyrisht na jep qetësi për të hyrë pa presion në çdo takim pasardhës. Por ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë asgjë në qasjen tonë dhe shkojmë për fitore në çdo ndeshje, për më shumë që matematikisht ende nuk kemi asgjë të sigurtë. Pastaj flasim për ekip profesional që nuk guxon të kënaqet me atë që ka arritur, por të shikojë para për rezultate tjera. Por, sigurisht se epërsia në kampionat na jep hapësirë për të menaxhuar më mirë forcat dhe besoj kjo të na shërbejë edhe për të fituar Kupën.

“Bota sot”: Me 10 mars Shkëndija në Shkup kundër Rabotniçkit, synon pikë të plota?

Qatip Osmani: Padyshim se po. Në çdo ndeshje objektivi ynë është vetëm fitorja dhe tre pikët. Shkëndija nuk din të luajë ndryshe, përveç se në sulm dhe për fitore.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Shkëndijën nga ekipet tjera?

Qatip Osmani: Është thënë shpesh se Shkëndija është më shumë se një klub futbolli dhe këtë e kupton apo e ndjen secili që të paktën një herë e ka provuar këtë fanellë. Qyteti, tifozeria, lidhja emocionale që kanë të gjithë me klubin janë diçka unike dhe që shkon përtej futbollit. Ne që jemi këtu jemi me fat për të mbrojtur këto ngjyra dhe kjo na obligon gjithmonë të japim më shumë se tjerët për të nderuar emrin dhe ngjyrat që përfaqësojnë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me fondin e lojtarëve apo ka nevojë edhe disa përforcime në reparte tjera?

Qatip Osmani: Duke parë ecurinë tonë në kampionat dhe Kupë që është meritë e futbollistëve, patjetër të jemi të kënaqur. Për më shumë nga fakti se janë lojtarë që kemi zgjedhur ne si të duhurit për të realizuar qëllimet sezonale. Përforcime apo freskime do të dëshironte çdo skuadër, pasi kualiteti shtesë i shërben grupit, por për këtë sezon ne kemi atë që duam dhe kjo na udhëheq të paraqitemi me sukses.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat