Barazon Shkëndija

Futboll

Barazon Shkëndija

Më: 18 qershor 2017 Në ora: 13:14
Pamje nga ndeshja

Shkëndija nga Tetova ka zhvilluar edhe testin e dytë në përgatitjet në Slloveni, duke barazuar 1:1 me ekipin kroat Inter Zapreshiq. Ibraimi shënoi golin për “kuqezinjtë”, ndërsa trajneri Osmani kishte mundësi të testojë pjesën më të madhe të futbollistëve.

“Kuqezinjtë” vazhdojnë përgatitjet verore në Slloveni, ndërsa sot kanë lënë pas edhe ndeshjen e dytë kontrolluese. Përballë kroatëve të Inter Zapreshiq trajneri Osmani testoi nivelin momental të ekipit, ndërsa në të njejtën kohë vazhdon komponimin e lojës dhe skuadrës. Ngarkesa e lartë në tempon e ngjeshur me nga dy seanca stërvitore në ditë dukej qartë në lëvizjen e futbollistëve.
Pjesa e parë foli për Shkëndijën që ishte më kërkuese dhe disa herë rrezikoi portën e ekipit kroat. Ibraimi dy herë nga gjuajtja e lirë, më vonë Alimi pas një aksioni të mirë të “kuqezinjëve”, si dhe Abdurahimi pas një aksioni individual tentuan portën kundërshtare, mirëpo rezultati në pushim mbeti ai i fillimit 0:0.

Pjesa e dytë vazhdoi me tempo të njejtë dhe qasja e tillë solli rezultat pas 9-të minutave lojë. Junior pason drejt Ibraimit, i cili depërton në zonë dhe me një të majtë precize sjell epërsi 0:1. Trajneri Osmani në vazhdim inkuadroi në lojë gjithë futbollistët që kishte në kombinim, ndërsa vlejnë të përmenden dy momente. Fillimisht në minutën e 79-të kur Zejnullai tenton portën me kokë, por kontrollon topin portieri kundërshtar, ndërsa në anën tjetër portieri i ri Bekim Rexhepi shfaqet në skenë kur shpëton portën në situatë ballë ballë me sulmuesin kundërshtar. Zëvendësimet e shumta ulën ritmin e lojës së “kuqezinjëve”, ndërsa ekipi kroat shfrytëzoi këtë duke barazuar në 1:1 me golin e Lazheviçit 6-të minuta para fundit. Kështu Shkëndija len pas edhe kontrolluesen e dytë, ndërsa testin e rradhës do ta ketë më 20 qershor kundër kampionit slloven, Mariborit.

Inter - Shkëndija 1:1

Tereni në Moravske Toplice-Slloveni
Golashënues: Lazheviç 84′ (Inter Zapreshiq), Ibraimi 54′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Todorovski, Bojku, Cuculi, Çelikoviç, Vujçiç, Alimi, Totre, Junior, Abdurahimi, Ibraimi.
Luajtën edhe: Çilafi, Shefiti, Zejnullai, Juffo, Asani, Fazllagiq, Taipi, Beqiri, Rexhepi, Lama, Kasami.
Trajner: Qatip Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat