Sadiku: Euforia pas europianit ndoshta ka ndikuar

Futboll

Sadiku: Euforia pas europianit ndoshta ka ndikuar

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 16:37
Armando Sadiku

I gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për të luftuar për një fanellë titullari me Sokol Cikalleshin. Armando Sadiku e ka lënë pas dëmtimin dhe kërkon gol ndaj Izraelit edhe pse e ka të qartë se vetëm një mes tij dhe Cikalleshit do ta nisi sfidën që nga minuta e parë në vijën e parë të sulmit.

"Kemi provuar madje kam luajtur disa ndeshje me Cikalleshin bashkë, madje dhe kemi shënuar më kujtohet sfida ndaj Gjeorgjisë, Sokoli ka bërë gol dhe ndaj Luksemburgut vitin e kaluar kur kemi qenë në fushë të dy. Mua më pëlqen të kem një partner por sic e thotë edhe trajneri jemi një përfaqësuese e vogël dhe luajmë ndaj ekipeve shumë të forta, prandaj luajmë me një sulmues, por kënaqësia ime do të ishte të luaja sëbashku me Cikalleshin në sulm. Për skemat nuk mund të vendos unë, është trajneri ai që i bën zgjedhjet dhe ne i respektojmë ato. Pësova një goditje me Kukelin kokë më kokë dhe u cava pak te balli, ato dy ditë, por gjithcka ka kaluar tani jam mirë”.

Ecuria e Shqipërisë në këtë eliminatore nuk ka qenë shumë pozitive, por jo cdo gjë duhet hedhur poshtë sipas sulmuesit të Luganos, me 26-vjecarin që nuk nguron të nënvizojë se kuqezinjtë kanë zhvilluar edhe ndeshje të mira.

"Na kanë rënë ekipe shumë të forta në grup, mund të kishim bërë më mirë, por cfarë mund të themi për ndeshjen kundër Spanjës ata janë një kombëtare e madhe dhe e merituan fitoren. Edhe me Italinë patëm gjasat tona, por nuk shënuam dhe më pas Italia na ndëshkoi. I vetmi peng në këto eliminatore është sfida me Izraelin që e humbëm në të tillë mënyrë. Por në këto eliminatore kemi bërë aq keq sa të thuhet se kemi prekur fundin. Euforia pas europianit ndoshta ka ndikuar. Pas ndeshjes me Luksemburgun u mblodhëm të gjithë lojtarët dhe dolëm në konkluzionin që nuk mund të na mposhti një kombëtare e vogël si Luksemburgun, euforia ka ndikuar keq, dhe nuk duhet të bëjmë më paraqitje të tilla, por ndaj Izraelit duhet të rikthehmi në rrugën e duhur”.

Një finale që duhet fituar me cdo kusht kështu e cilëson, Sadiku sfidën ndaj Izraelit, kombëtareje të cilës pavarsisht humbjes 0-3 në ndeshjen e parë, Shqipëria nuk i trembet aspak.

” Për ne është si një finale. Duhet të luajmë në grup dhe të japim më të mirën për ekipin. Duhet të shkojmë atje të marrim tre pikët sic na i morën ata ne këtu, ose më saktë sic na i vodhën se nuk mund të them që na i fituan. Do të bëjmë gjithcka për ta fituar atë ndeshje. Nuk mund të them që ata kanë një mbrojtje të pakalueshme. Ne kemi luajtur edhe përballë mbrojtjeve më të forta në Europian. Ne i respektojmë por nuk i kemi frikë, do të shkojmë në Izreal për të shënuar dhe për të marrë 3 pikët”.

Në fund sulmuesi nga Elbasani liroi nga përgjegjësitë trajnerin De Biasi duke theksuar se pesha më e madhe e fajit për këtë ecuri të dobët në sfidat e fundit u takon futbollistëve, ndërsa zbuloi edhe disa detaje për të ardhmen e tij  në rang klubesh që me shumë gjasa nuk  do të jetë më në kampionatin zviceran.

” Mendoj që sështë faji i trajnerit, është cështje psikologjike te ne trajnerët. Trajneri gjthmonë ka qenë i njëjti ka zhvilluar të njëjtat seanca stërvitore, por kemi qenë ne futbollistët që skemi dhënë më të mirën nga vetja. Kam bërë një sezon shumë të mirë me Luganon por nuk e di se ku do të jetë e ardhmja ime. Jam në pronësi të Zyrihut dhe kam  edhe 1 vit kontratë me këtë skuadër. Të përfundoj ndeshjen me kombëtaren dhe pastaj të shoh se ku do ta vazhdoj karrierën, do të jem te Lugano, do të kthehem te Zyrihu apo do të shkoj në një skuadër tjetër. Objektivi im është të largohem nga kampionati zviceran sepse kam 6 sezone që luaj aty”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat