Napoli fajëson gjyqtarët

Futboll

Napoli fajëson gjyqtarët

Më: 1 mars 2017 Në ora: 17:08
Pamje nga protestimi

Skuadra e Napolit nuk pajtohet me humbjen me rezultat 3:1 nga Juventusi, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë në futboll. Sipas tyre janë shumë të dëmtuar nga gjyqtari Paolo Valeri. Ata janë të inatosur, sepse nuk e merituan një humbje të tillë nga kampioni në fuqi në ndeshjen që u zhvillua në Torino. Për Napolin ishte një fund nervoz kundër Juventusit, sepse fillimisht drejtori sportiv, Cristiano Giuntoli, por edhe portieri Pepe Reina, protestuan ashpër kundër gjyqtarit, Paolo Valeri. “Nuk kemi vendosur që ta ndërpresim heshtjen për shtyp, por në këtë rast ishte e pamundur që të qëndronim pa folur”,  u shpreh Cristiano Giuntoli. “Ishte e nevojshme që pas paraqitjes të komplimentonim skuadrën, ndonëse ajo që pamë në fushë i bën shumë dëm futbollit italian. Dybala largon topin dhe i përplaset vetë në trup Koulibalyt, në rastin e dytë Reina prek topin, por më pas nuk mund të zhduket si me magji përballë Cuadrado-s. Dy penallti dhe dy vendime të turpshme të gjyqtarit. Ishte diçka skandaloze”, ka thënë Giuntoli.  

Te Napoli janë të revoltuar duke thënë: “Nëse humbëm kundër Juventusit, fajtor për këtë është vetëm gjyqtari. Jam i tërbuar, sepse ato që ndikuan në lojë ishin vetëm vendimet skandaloze të arbitrit. Nuk dua të komentoj penalltinë e parë, por si ka mundësi që të gabojë edhe në rastin e dytë, duke parë qartësisht që unë prek topin përballë Cuadrados. Si mund të jepet penallti ai episod… Pastaj, të mos flas që aksioni i Cuadrados nisi nga një penallti e mohuar ndaj nesh, me Albiolin që shtrihet në zonën e Juventusit. Kjo nuk është e drejtë, sepse 3:1 erdhi vetëm si rrjedhojë e gabimeve të gjyqtarëve”. Napolitanët shpresojnë të bëjnë përmbysjen në takimin e kthimit e cila pritet të zhvillohet me 5 prill në San Paolo. Napolitanët kanë kohët ë përgatiten për hakmarrje, ndërsa Juve është në epërsi. Napolit i mjafton fitorja me rezultat 2:0 të shkojë më tutje, kurse Juve beson se do të ruajnë epërsinë në takimin e kthimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat